Shqiptari u qëllua për vdekje gjatë grabitjes, flet partnerja: Nuk ekzistojnë njerëzit e mirë dhe të këqij

“Dëgjojmë dhe lexojmë shumë gjëra, por unë dua të them se nuk ekzistojnë njerëz të mirë dhe të këqij. Nuk ka njerëz që meritojnë të vdesin apo të tjerë që bëjnë mirë që qëllojnë”. Kështu është shprehur partnerja e Gjovalin Lazrit, 36-vjeçarit me origjinë shqiptare, i cili u vra gjatë natës mes së shtunës dhe të dielës në Baldissero d’Alba, në zonën e Cuneos, në Itali, raportojnë mediat italiane.
Deklarata e gruas është përcjellë përmes avokates së saj, e cila më pas e ka bërë publike. E tronditur nga ngjarja, ajo ka rrëfyer dhimbjen për humbjen e partnerit dhe babait të fëmijës së tyre.
“Djali im nuk ka më baba dhe unë jam e shkatërruar nga dhimbja. Duhet të dalë e gjithë e vërteta. Kërkoj vetëm që drejtësia të bëjë punën e saj”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa avokatja Roberta Sisimbro ka shtuar se “kemi besimin maksimal te puna e Prokurorisë dhe te zbatimi i ligjit që pason”. “Jemi në një shtet të së drejtës, ekzistojnë një Kushtetutë dhe ligje që duhen respektuar.”
Për vdekjen e Gjovalin Lazrit, Prokuroria italiane ka regjistruar si person nën hetim 35-vjeçarin Roberto Mollo, pronar i një banese në rikonstruksion, e cila ishte sulmuar nga persona që dyshohet se kishin hyrë për të vjedhur. Mollo po hetohet për veprën penale të vrasjes me dashje.
Viktima Gjovalin Lazri, ishte 36 vjeç dhe me origjinë nga Shqipëria. Ai ishte larguar nga vendi dhe ishte vendosur në periferinë veriore të Torinos, së bashku me partneren, me të cilën kishte edhe një fëmijë.
Lazri punonte si barist dhe, sipas banorëve të zonës dhe klientëve të lokalit ku punonte, njihej si një person i qetë dhe i rezervuar.
“Një familje e mirë, jashtëzakonisht e rezervuar. Nuk dimë shumë për ta, flasin pak, i shohim me fëmijën. Por nuk ka pasur kurrë probleme”, kanë treguar fqinjët pas tragjedisë.
Edhe klientët e lokalit ku punonte 36-vjeçari janë shprehur të befasuar nga përfshirja e tij në ngjarje.
“Më vjen keq, nuk e dija që merrej me këtë gjë. Më duket e çuditshme. Nuk e prisja”, ka thënë një prej klientëve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




