Rregullorja e re, avokatët përshkallëzojnë bojkotin ndaj GJKKO, protesta zgjerohet edhe në seancat për masat e sigurisë

Aktualitet | 2 orë më parë

Avokatët përshkallëzojnë bojkotin ndaj GJKKO në kundërshtim me rregulloren e re që kufizon përdorimin e celularëve në sallat e gjyqit. Pas rreth tre javësh bojkot të proceseve, Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka vendosur që protesta të shtrihet edhe në seancat për caktimin dhe shqyrtimin e masave të sigurisë.

Vendimi u mor këtë të mërkurë gjatë mbledhjes së Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Deri tani, bojkoti nuk përfshinte seancat për masat e sigurisë, ndërsa tashmë ai prek edhe këto procedura.

Pavarësisht qëndrimit të avokatëve, GJKKO nuk ka ndryshuar rregulloren e re. Ndërkohë, Dhoma e Avokatisë ka deklaruar se do të mbulojë gjobat që mund t’u vendosen avokatëve për mungesën në seanca.

Zgjerimi i bojkotit pritet të ndikojë edhe në seancat që lidhen me personat nën hetim, veçanërisht ato për vendosjen apo shqyrtimin e masave të sigurisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme