Forumi Global i Transportit në Kinë, Karakaçi: Nis në fillim të 2027 ndërtimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Dokumentet e Milot-Balldren, publike te “Besa”

Aktualitet | 1 orë më parë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka prezantuar nga Kina projektet strategjike të Shqipërisë në fushën e transportit, duke vënë theksin te investimet në korridoret europiane dhe projektet hekurudhore e rrugore që lidhin vendin me rajonin.

Karakaçi ishte i ftuar nga Ministri i Transportit të Kinës në Forumin Global të Transportit të Qëndrueshëm, një prej aktiviteteve të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e transportit. Sa i përket Korridorit VIII, ministri bëri me dije se gara për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë është në fazën përmbyllëse dhe brenda muajit nëntor pritet të shpallet kompania fituese.

Ndërkohë, sipas tij, vijon puna për zgjerimin e korridorit Elbasan-Qafë Thanë, ndërsa segmentet e para të bypass-it të Elbasanit janë kontraktuar dhe puna ka nisur.

Sigurisht, Shqipëria është vend i vogël, por nyje strategjike në dy korridore evropianë, Korridori VIII dhe Korridori Adriatiko-Jonian.  Për sa i përket Korridorit VIII, tashmë është në përmbyllje gara për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë dhe brenda muajit nëntor pritet shpallja e fituesit. Ndërsa vazhdon puna me ritëm për zgjerimin e korridorit Elbasan-Qafë Thanë. Edhe segmentet e para të bypass-it të Elbasanit tashmë janë kontraktuar dhe filluar nga puna”, tha ministri.

Në lidhje me Korridorin Adriatiko-Jonian, Karakaçi tha se edhe gara për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit ndodhet në fazën përmbyllëse.

Për sa i përket Korridorit Adriatiko-Jonian, edhe këtu jemi në fazën përmbyllëse të garës për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Investim rreth 360 milionë euro që pritet të fillojë nga ndërtimi në fillim të vitit 2027. Për sa i përket autostradës Adriatiko-Joniane, po punohet për studimin inxhinierik të segmentit më sfidues, Murriqan-Balldren, që po përgatitet me fonde grant nga Bashkimi Europian dhe pritet të dorëzohet në janar të vitit 2027 në ministri”, deklaroi ai.

Karakaçi u ndal edhe te projekti Milot-Balldren, ku tha se synohet transparencë e plotë për dokumentacionin.

Ndërkohë vazhdojmë nga puna për finalizimin e kontratës për autostradën Milot-Balldren dhe projektin teknik përfundimtar. Kam konstatuar së fundmi shumë paqartësi për këtë projekt. Për të pasur transparencë të plotë mbi këtë projekt shumë të rëndësishëm, të gjitha dokumentet e këtij projekti do të jenë të hapura në platformën e Besës, Flamingo Mirror, në mënyrë që kushdo që ka interes të bëjë verifikimet e veta”, thekson ministri.

Në vijim të vizitës në Kinë, Karakaçi tha se do të zhvillojë takime me stafin akademik të Institutit të Teknologjisë në Shangai, me synim nisjen e një bashkëpunimi studimor në fushën e ujësjellës-kanalizimeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme