Operacioni ndërkombëtar “The Wanted”, prangoset në Rusi, Salvadore (alias Shpëtim) Aliu, trafikoi mbi 8.9 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës

Aktualitet | 1 orë më parë

Policia e Shtetit ka njoftuar finalizimin e dy fazave të reja të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”. Si rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë informativ dhe operacional mes Drejtorisë së Interpolit në Tiranë dhe homologëve në Moskë e Romë, janë arrestuar provizorisht dy individë të kërkuar ndërkombëtarisht, të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike dhe lëvizjen e paligjshme të emigrantëve.

Autoritetet po vijojnë procedurat për ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë.

Të arrestuarit dhe akuzat përkatëse

Salvadore (alias Shpëtim) Aliu, 51 vjeç u arrestua në Rusi. Në qershor të vitit 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për “Trafikim të narkotikëve”, “Pastrim të produkteve të veprës penale”, “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”.

Alok Mittra, 47 vjeç, u arrestua në Itali. GJKKO e ka dënuar atë në vitin 2024 me 15 vjet burgim për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikim të dokumenteve”, dhe pjesëmarrje në “Grup të strukturuar kriminal”.

Dosja e SPAK për kokainën, roli kyç i Shpëtim Aliut

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Salvadore (Shpëtim) Aliu ishte figura qendrore në aksionin kundër grupeve të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Ai shërbente si hallka kryesore furnitore, duke luajtur një rol universal në skemën e trafikimit duke furnizuar me kokainë grupet e tjera kriminale.

Gjatë hetimeve intensive, të shoqëruara me 23 kontrolle në banesa dhe subjekte tregtare, SPAK deklaroi se arriti të dokumentojë me prova pesë episode të trafikut ndërkombëtar, duke sekuestruar në total 8 ton e 960 kg kokainë. Episodet e zbardhura përfshijnë:

11 Maj 2020- Sekuestrimi i 700 kg kokainë në portin e Waasland (Antverp), Belgjikë, fshehur në një kontejner me pjesë këmbimi nga Kina.

6 Qershor 2020- Parandalimi i trafikut të 2010 kg kokainë në Guayaquil, Ekuador. Ngarkesa, e cila mbante logot Jaguar, Shqiponjë dhe BB, kishte destinacion Holandën.

16 Gusht 2020- Kapja e 1100 kg kokainë në Roterdam, Holandë, ardhur nga Ekuadori.

16 Dhjetor 2020- Sekuestrimi i një sasie rekord prej 4.1 ton kokainë në Roterdam, Holandë, e nisur po ashtu nga Ekuadori.

3 Shkurt 2021- Tentativa për të trafikuar 1 ton e 50 kg kokainë, e cila u bllokua në Kolumbi, me destinacion final Francën.

Përveç këtyre rasteve të dokumentuara, SPAK thekson se ky grup kriminal ka mundur të trafikojë dhjetëra tonelata të tjera kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës, duke siguruar të ardhura marramendëse nga kjo veprimtari e jashtëligjshme.

Skema e trafikimit të emigrantëve nga Bangladeshi

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 47-vjeçari Alok Mittra ishte pjesë e një grupi kriminal që operoi për gjashtë muaj gjatë viteve 2023-2024. Ky grup organizoi kalimin e paligjshëm të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi drejt Evropës, kundrejt përfitimeve të mëdha financiare.

Skema funksiononte duke i sjellë shtetasit e huaj në Shqipëri nga Dubai, ku ata nënshkruanin kontrata fiktive pune për t’u pajisur me leje qëndrimi. Sapo pajiseshin me dokumentacionin, ata niseshin drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Roli i Mittras ishte shoqërimi, transportimi dhe akomodimi i këtyre personave gjatë itinerarit të tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme