Dy operacione në Tiranë dhe Krujë për armëmbajtje pa leje, arrestohen 2 persona

Aktualitet | 1 orë më parë

Dy persona janë arrestuar në Tiranë dhe Krujë, pasi u kapën duke poseduar armë dhe sende të tjera të kundërligjshme. Policia njofton se gjatë dy operacioneve të zhvilluara brenda 24 orëve janë sekuestruar 3 armë, 17 kapsolla elektrike, municion luftarak, një shënjestër optike, 2 mjete prerëse dhe një peshore elektronike.

Operacionet janë finalizuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të shtimit të vigjilencës dhe intensifikimit të punës operative për parandalimin e ngjarjeve kriminale që mund të kryhen nga persona që posedojnë armë në mënyrë të paligjshme.

Në kuadër të operacionit të koduar “Qëllimi”, Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, arrestoi shtetasin A. Z., 36 vjeç, me precedent penal.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, sipas Policisë, u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë zjarri, një pistoletë dhe një armë automatike, së bashku me municion luftarak, një shënjestër optike, 2 mjete prerëse dhe një peshore elektronike.

Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Kontrolli”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin F. L., 28 vjeç.

Në banesën e tij, në fshatin Brret, policia thotë se u gjetën një armë gjahu, 84 fishekë dhe 17 kapsolla elektrike, të cilat dyshohet se posedoheshin pa leje.

Sipas Policisë së Tiranës, vijojnë hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar përfshirjen e dy personave të arrestuar në veprimtari të tjera kriminale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme