Protesta para Parlamentit, qindra efektivë në terren, dy të shoqëruar
Teksa Parlamenti pritet të nisë punimet për seancën plenare, protestuesit janë pozicionuar para godinës së Kuvendit, në vijim të protestës kundër qeverisë. Nga terreni, gazetarja e RTSH-së, Flutura Tota, raporton se situata aktualisht është e qetë, ndërsa pritet që pas përfundimit të seancës veprimet e protestuesve të intensifikohen.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra efektivë nga disa struktura, me qëllim që punimet e Kuvendit të zhvillohen pa incidente dhe të shmangen përplasjet mes protestuesve dhe deputetëve.
Gazetarja thekson se sipas informacioneve paraprake, dy persona janë shoqëruar pas përplasjeve verbale me efektivët.
Ndërkohë, forcat e rendit po monitorojnë situatën jo vetëm pranë Kuvendit, por edhe protestat e tjera të zhvilluara në kryeqytet, të cilat vijojnë prej 116 ditësh.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




