Të shpallur në kërkim për trafik droge e kanosje, 4 persona në pranga, ekstradohen nga Italia, Zvicra e Spanja

Aktualitet | 1 orë më parë

Katër persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ndaluar në kuadër të katër fazave të tjera të operacionit “The Wanted”, të finalizuara nga Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët në Itali, Zvicër dhe Spanjë. Tre prej tyre janë ekstraduar, ndërsa një tjetër është arrestuar në Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

Në mesin e personave të ndaluar është H. N., 38 vjeç, i cili është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 30 prill 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

38-vjeçari dyshohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas hetimeve, H. N. dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Evropës. Gjithashtu, ai dyshohet se ka investuar në aktivitete të ndryshme paratë e përfituara nga veprimtaria kriminale.

Nga Zvicra është ekstraduar M. K., alias M. M., 28 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Beratit kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim.

Sipas autoriteteve, ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në vitin 2024 në Berat. 28-vjeçari, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur në disa raste shtetasin P. Z., me qëllim marrjen e një shume parash. Vendimi për caktimin e masës së sigurisë është marrë nga Gjykata e Beratit më 17 mars 2025.

Ndërkohë, në Spanjë është ekstraduar shtetasi A. B., i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi. Autoritetet gjyqësore spanjolle kanë lëshuar ndaj tij urdhër-arresti më 14 dhjetor 2020, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

A. B. dyshohet se ka qenë pjesëtar i një organizate kriminale që gjatë viteve 2019-2020 ka kultivuar dhe trafikuar Cannabis Sativa në Spanjë.

Në një tjetër fazë të operacionit, autoritetet italiane kanë arrestuar E. Z., 40 vjeç, lindur në Vlorë, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri.

40-vjeçari është dënuar në vitin 2018 me 3 vite burgim nga Gjykata e Vlorës për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Sipas Policisë, në vitin 2015, në banesën e tij u gjetën bimë narkotike të kultivuara.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme