Dyshohet se përvetësoi 69 mln lekë, Gjykata e Durrësit zbut masën për ish-drejtoreshën e Postës

Aktualitet | 1 orë më parë

Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, duke e zëvendësuar “arrestin në burg” me “arrestin në shtëpi”. Mataj ndodhej në paraburgim prej muajit korrik, nën hetim për dyshimet mbi përvetësimin e rreth 69 milionë lekëve, fonde të destinuara për pagesën e pensioneve në degët e Postës Shqiptare në Shijak dhe Krujë.

Sipas vendimit të gjykatës, në këtë fazë të hetimit kanë ndryshuar rrethanat, duke bërë që masa e sigurisë ndaj Matajt të zbutet nga arrest në burg në arrest në shtëpi.

Ndryshimi i masës së sigurisë nuk nënkupton pushimin e hetimeve dhe as shpalljen e pafajësisë për ish-drejtoreshën e Postës. Elisabeta Mataj është një nga tre zyrtaret e Postës Shqiptare në Durrës që janë përfshirë në këtë hetim. Në muajin korrik, ish-shefja e financës V.D. dhe arkëtarja P.D., u lanë që në nisje të hetimit në masën “arrest në shtëpi”.

“Në përgjigje të kërkesave dhe e-maileve tuaj të datës 25.09.2026, drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ku në bazë të Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, në kuadër të informimit për çështje që konsiderohen me interes publik, kërkoni informacion lidhur me ngjarjen që i përket zëvendësimit të masës së sigurimit personal për nëpunësit e Postës Shqiptare, Dega Qendër Durrë, E.M, parashtrojmë si më poshtë: Së pari, ju bëj me dije se kërkesat tuaja i janë përcjellë trupit gjykues që ka çështjen në shqyrtim, ku pas konsultimit dhe miratimit paraprak të tij, është vijuar me trajtimin tyre.

Verifikimet janë kryer në Sistemin ICMIS (Sistemi informatik i menaxhimit të çështjeve gjyqësore, i cili mundëson. Ky sistem ofron mundësi kërkim për të gjitha çështjet gjyqësore civile apo penale të regjistruara pranë kësaj gjykate kryesisht nëpërmjet emrit të palëve ndërgjyqëse), ku rezulton se pranë kësaj gjykate është regjistruar çështja penale konkretisht: – Çështja penale me Nr. 509/5 Akti, me objekt “Informacion 2 mujor në lidhje me ecurinë e proçedimit penal, në varësi të permbajtjes të ketij informacioni kërkojmë dhe zëvendësimin e masës së sigurimit”

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës (Kërkuese), përfaqësuar nga Prokuror Gazmend Frëngu. Kjo çështje u shortua elektronikisht pranë Gjyqtarit Xhevdet Lika
Seanca gjyqësore u zhvillua në datë 25.09.2026, ora 09:00.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, për çështjen e sipërcituar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka disponuar me Vendimin Nr. 509/5, datë 25.09.2026, ku ka vendosur:

VENDOSI
1. Pranimin e kërkesës të personit nën hetim Elisabeta Mataj.
2. Zëvëndësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj personit nën hetim E.M. me vendimin Nr.509/2, datë 18.07.2026, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
3. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të personit nën hetim E. M. nga dhomat e paraburgimit nëse nuk mbahet e paraburgosur për ndonjë vepër tjetër penale.
4. Urdhërohet personi nën hetim E. M. të qëndrojë dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen nr.xx, Qyteti Durrës.
5. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) diteve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të gjykatës.

U shpall në Durrës, me datë 25.09.2026

(VO: Sjellim në vëmendjen tuaj se krahas të drejtës për informim, të dhënat e mësipërme, veçanërisht për nga karakteri që mbartin, ndër të tjera, janë edhe objekt i Ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” (I ndryshuar) ku çdo abuzim me të dhënat që përmbajnë këto manteriale passjell përgjegjësi sipas ligjit. Për këtë shkak, kërkohet që përveç zbatimit të legjislacionit në fuqi të tregohet kujdes i shtuar nga subjektet që disponojnë të dhënat në fjalë.)

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, shpreh gatishmërinë maksimale në kuadër të bashkëpunimit me Median, si dhe mbetemi të gatshëm për çdo sqarim apo eventualitet të mundshëm.  Duke ju falenderuar për mirëkuptimin, ZMP Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës”, thuhet në njoftim.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme