Me shkopinj bejsbolli gati për sherr, policia ndërhyn në Yzberisht, procedohen 23 të mitur

Aktualitet | 2 orë më parë

Një konflikt mes dhjetëra të miturve është parandaluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në zonën e Yzberishtit, në Tiranë.

Policia ndërhyri menjëherë pas marrjes së informacionit se një grup të miturish do të përfshiheshin në një konflikt në rrugën “Besim Alla”. Efektivët shkuan në zonën e sinjalizuar dhe konstatuan disa prej tyre të pajisur me shkopinj bejsbolli, të cilët dyshohet se do të përdoreshin gjatë përplasjes.

Të miturit u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, ndërsa në vijim u identifikuan dhe u shoqëruan edhe të miturit e tjerë që pritej të përfshiheshin në konflikt.

Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në prani të prindërve dhe psikologut, policia ka referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 23 të mitur, të moshave 13 deri në 17 vjeç.

Gjatë ndërhyrjes janë sekuestruar edhe dy shkopinj bejsbolli, të cilët dyshohet se do të përdoreshin në konflikt.

Policia e Tiranës thekson se vijon të jetë e angazhuar për parandalimin e konflikteve mes të miturve dhe të rinjve, duke vlerësuar se përplasjet që nisin për motive të dobëta mund të përshkallëzohen dhe të çojnë në ngjarje të rënda.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit u bën thirrje prindërve, të afërmve, miqve dhe mësuesve që të bashkëpunojnë me strukturat e policisë dhe të raportojnë çdo indicie që mund të sinjalizojë përgatitjen e konflikteve mes bashkëmoshatarëve, përfshirë edhe ato që evidentohen në hapësirën dixhitale.

NJOFTIMI I POLICISË
Tiranë/Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Komisariatit Nr. 6 parandalon një konflikt ndërmjet dhjetëra të miturve, në Yzberisht.

Procedohen penalisht 23 shtetas të moshave 13-17 vjeç, që do të përfshiheshin në konflikt.

Sekuestrohen 2 shkopinj bejsbolli.

Menjëherë pas sigurimit të informacionit se dhjetëra të mitur do të konfliktoheshin në rrugën “Besim Alla”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë shkuar në zonën e sinjalizuar, për të parandaluar ngjarjen.

Efektivët kanë konstatuar disa të mitur të pajisur me shkopinj bejsbolli, për t’i përdorur gjatë konfliktit. Ata janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit dhe, në vijim, janë identifikuar dhe shoqëruar edhe të miturit e tjerë që do të përfshiheshin në këtë konflikt.

Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në prani të prindërve dhe psikologut, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 23 të mitur. Gjithashtu, janë sekuestruar sendet e forta.

Policia e Tiranës mbetet maksimalisht e angazhuar për të parandaluar konflikte ndërmjet të miturve dhe të rinjve, të cilat, ndonëse nisin për motive të dobëta, mund të përshkallëzojnë në ngjarje të rënda kriminale. Për të përmbushur këtë objektiv prioritar, kërkojmë bashkëpunimin intensiv të prindërve, të afërmve, miqve dhe mësuesve të të miturve, të cilët konstatojnë në përditshmëri dhe në hapësirën dixhitale indicie për ngjarje të tilla ndërmjet bashkëmoshatarëve.

Siguria e fëmijëve dhe të rinjve, prioritet absolut i Policisë së Shtetit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme