Shtatori ul fluksin në kufi, rreth 15 mijë hyrje-dalje në 24 orë në Muriqan dhe Han të Hotit
Në këtë periudhë, numri i turistëve të huaj që hyjnë në vend është më i ulët, ndërsa lëvizjet në të dyja drejtimet dominohen tashmë nga shtetasit shqiptarë, që udhëtojnë drejt vendeve fqinje ose rikthehen në Shqipëri.
Edhe qytetarët që udhëtojnë në këto ditë të shtatorit konfirmojnë se fluksi është më i ulët krahasuar me muajt e verës. Radhët në kufi vijojnë të jenë të pranishme, por sipas tyre, pritjet janë më të shkurtra dhe situata më e menaxhueshme.
Pavarësisht rënies së fluksit, masat për përshpejtimin e procedurave vijojnë të jenë në fuqi. Në rastet kur krijohen radhë, shërbimet kufitare aktivizojnë procedurat e kalimeve të përshpejtuara, me synim shmangien e pritjeve të gjata.
Fluksi rritet kryesisht gjatë fundjavave, kur shtohet numri i qytetarëve që udhëtojnë drejt vendeve fqinje. Vetëm gjatë 24 orëve të shkuara, në pikat e kalimit kufitar Muriqan e Han të Hotit kanë hyrë dhe dalë rreth 15 mijë shtetas, prej të cilëve 7 mijë e 422 në hyrje dhe 7 mijë e 509 në dalje.
Shtatori po e rikthen gradualisht lëvizjen kufitare në ritmet e zakonshme, me fluks më të përqendruar në fundjavë dhe pritje dukshëm më të ulëta gjatë ditëve të javës.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




