Nga guaskat te diamantet, historia mijëravjeçare e bizhuterive dhe ndryshimi i modës ndër shekuj

Lifestyle | 46 minuta më parë

Bizhuteritë kanë shoqëruar njerëzimin prej mijëra vitesh, duke ndryshuar formë, material dhe stil në varësi të epokës dhe kulturës. Nga guaskat e përdorura si rruaza nga komunitetet e hershme njerëzore, te ari, diamantet dhe gurët e çmuar të ditëve moderne, mënyra se si njerëzit zbukurojnë veten ka një histori të gjatë dhe interesante.

Dëshmitë më të hershme datojnë rreth vitit 110 mijë p.e.s., kur njerëzit përdornin guaska si rruaza dhe amulete. Arkeologët kanë zbuluar guaska të fosilizuara që lidhen me kulturën Gravettiane, e njohur edhe për gjuetinë e mamuthëve.

Në Mesopotami, sumerët i kushtonin rëndësi të veçantë bizhuterive. Dizajnet e tyre frymëzoheshin nga kafshët, rrushi dhe format gjeometrike. Ndërkohë, në Egjiptin e Lashtë nisi një zhvillim i rëndësishëm i artit të argjendarisë. Fillimisht u përdorën rruaza të vogla, ndërsa më vonë artizanët nisën të punonin me metale dhe ar.

Egjiptianët krijuan bizhuteri me motive të zogjve, rrotullave, ndërsa përdorimi i arit u mundësoi atyre të zhvillonin teknika gjithnjë e më të sofistikuara.

Edhe romakët sollën ndryshime të rëndësishme në stil. Midis viteve 500 p.e.s. dhe 400 e.s., gjarpri u bë një motiv i rëndësishëm, i lidhur me pjellorinë dhe forcën krijuese. Në bizhuteritë romake u përdorën gjithashtu unaza me vulë, talismanë dhe amulete të zbukuruara me gurë të çmuar, përfshirë diamante, safirë dhe smeraldë.

Gjatë Rilindjes, nga rreth viti 1300 deri në vitin 1600, u rikthye frymëzimi nga Antikiteti dhe bizhuteritë u bënë më të ndërlikuara. Diamantet dhe gurët e tjerë të çmuar zunë një vend të rëndësishëm në krijimet e kësaj periudhe.

Në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, Art Nouveau solli një qasje të re, të frymëzuar nga natyra. Hardhitë, lulet dhe format e lakuara u kthyen në elemente karakteristike të bizhuterive, ndërsa ngjyrat jeshile dhe rozë u bënë të njohura.

Luftërat Botërore ndikuan edhe në modën e bizhuterive, për shkak të kufizimeve ekonomike dhe mungesës së gurëve të çmuar. Me rimëkëmbjen ekonomike, bizhuteritë më të ndritshme dhe dekorative u rikthyen në modë.

Në vitet ’60, marka si Chanel sollën krijime që ndërthurën ndikime historike me stilin bashkëkohor. Në vitet ’70, ari dhe format e mëdha u bënë veçanërisht të njohura, ndërsa vitet ’80 u karakterizuan nga varëse të mëdha, vathë të mëdhenj dhe byzylykë shumëngjyrësh.

Në vitet ’90, stili u bë më i thjeshtë. Figura të njohura të kohës, si Princesha Diana, ndikuan në tendencat e modës dhe bizhuterive. Ndërkohë, vathët dhe zinxhirët nisën të bëheshin gjithnjë e më të zakonshëm edhe te meshkujt.

Nga guaskat e thjeshta të mijëra viteve më parë deri te krijimet luksoze të shtëpive më të mëdha të modës, historia e bizhuterive tregon jo vetëm evolucionin e teknikave të artizanatit, por edhe ndryshimet në kulturë, ekonomi dhe shijet e shoqërisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme