“Verity” sjell thrillerin psikologjik të Colleen Hoover me një kastë yjesh të Hollywood-it

Projekti më i ri kinematografik bazohet në romanin bestseller të shkrimtares Colleen Hoover dhe sjell në rolet kryesore aktoren Anne Hathaway, Dakota Johnson dhe Josh Hartnett. Filmi, i cili pritet të shfaqet në kinema këtë të premte, drejtohet nga regjisori Michael Showalter, i cili ka marrë frymëzim nga klasiku i suspense-it, Alfred Hitchcock, veçanërisht nga filmi “Rebecca”.
Subjekti vërtitet rreth Verity-t (Anne Hathaway), një autore mjaft popullore e cila mbetet e palëvizshme dhe pa gojë pas një aksidenti automobilistik, por pasojat e së cilës thellohen nga zbulimi i një autobiografie sekrete e mjaft shqetësuese. Në skenë hyn Lowen (Dakota Johnson), një shkrimtare në vështirësi financiare e punësuar për të përfunduar librat e mbetur pezull. Ndërsa transferohet në shtëpinë e Verity-t, Lowen nis të zhvillojë fantazi mbi jetën e koleges së saj dhe të krijojë një afërsi me bashkëshortin e saj, të luajtur nga Josh Hartnett. Së shpejti, kufijtë mes realitetit dhe dyshimit zbehen, ndërsa Lowen fillon të dyshojë se paraliza e Verity-t mund të jetë vetëm një inskenim.
Pavarësisht atmosferës me tension në ekran, aktorët treguan se gjatë xhirimeve atmosfera ka qenë mjaft e çlirët.
“Do të kishte disa sekuenca ku unë dhe Dakota thjesht do të na duhej të shikonim njëra-tjetrën në sy”, u shpreh Anne Hathaway për Associated Press. “Ka diçka te të diturit se duhet të jesh e frikshme që të bën të qeshësh me të madhe”.
Edhe për Dakota Johnson, përvoja ishte sa sfiduese, aq edhe frymëzuese. Ajo u shpreh se lidhja familjare me zhanrin e thrillerit erotik dhe suspense-it — me gjyshen e saj Tippi Hedren që ka luajtur në filmat e Hitchcock-ut si “The Birds”, dhe me të ëmën Melanie Griffith në filmin “Body Double” të Brian De Palma-s — i dha një ndjenjë sigurie. «Mendoj se frymëzohem nga nëna dhe gjyshja ime, nga fakti që ato e bënë këtë gjë dhe që edhe unë munda ta bëja», tha Johnson.
Për Anne Hathaway, “Verity” mbyll një vit jashtëzakonisht të ngarkuar profesionalisht, ku ajo numëron pesë publikime të mëdha kinematografike, përfshirë tituj si “Mother Mary”, “The Devil Wears Prada 2”, “The Odyssey” dhe “The End of Oak Street”. Aktorja, e cila është në pritje të fëmijës së saj të tretë, bëri me dije se pas këtij filmi do të marrë një periudhë pushimi përpara se t’i rikthehet punës me projekte të tjera, si vazhdimi i filmit “Days of Thunder” me Tom Cruise.
I pyetur për ritmin e lartë të koleges së tij, Josh Hartnett u shpreh me humor: «Jam dakord me atë që shkruante ‘The Onion’, se ekonomia jonë po bëhet tepër e varur nga Anne Hathaway.»
Me një kombinim mes dramës erotike, suspense-it klasik dhe një kaste me emra të njohur, “Verity” synon të tërheqë publikun masiv në sallat e kineze, duke vijuar ecurinë e suksesshme të adaptimeve letrare të Colleen Hoover në ekranin e madh.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





