Protesta studentore në Francë/Qeveria: Demonstratat e nxënësve tani janë kthyer në prishje të rendit publik

Europë | 2 orë më parë

“Demonstratat e nxënësve të shkollave të mesme tani kanë kaluar në prishje të rendit publik”. Kështu deklaroi ministri francez i Drejtësisë, Gérald Darmanin, pasi policia dhe protestuesit u përleshën në disa qytete.

“Mbi 730 nga 3700 shkollat e Francës  janë prekur nga protestat e dhunshme.”- deklaroi ai. Nxënësit protestues ndezën zjarre dhe hodhën bomba molotov drejt policisë, e cila u përgjigj duke hedhur gaz lotsjellës, ndërsa aktivistët kërkojnë tubime të reja ku kërkohen kushte më të mira në arsim, pasi sipas tyre ka mungesë të stafit pedagogjik, klasat janë të mbipopulluara dhe godinat të prishura.

Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez tha se mbi 1700 persona u arrestuan vetën gjatë protestave të së premtes. “Po rrëshqasim drejt trazirave dhe dhunës urbane, dhe po përdorim të gjitha mjetet për t’i dhënë fund kësaj”- deklaroi ai.

Ndërkohë, Ministri i Arsimit Édouard Geffray tha se lëvizja tani nuk ishte më në duart e nxënësve. “Të paktën 65 anëtarë të stafit mësimdhënës janë plagosur nga trazirat deri tani” – tha ministri i Arsimit. Protestat filluan javën e kaluar në Paris dhe janë përhapur në të gjithë vendin, përfshirë Montpellier, Nantes, Marseille e Strasbourg.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme