E vërteta e dhimbshme e Sylvester Stallone/ Pse fitorja e “Rocky-it” në Çmimet Oscar i la plagë në zemër

Sylvester Stallone ka zbuluar prapaskenën e hidhur të njërës prej arritjeve më të mëdha të karrierës së tij kinematografike. Kur filmi i tij legjendar “Rocky” fitoi çmimin për “Filmin Më të Mirë” në ceremoninë e 49-të të Çmimeve Oscar në vitin 1977, momenti që duhej të ishte kulmi i triumfit u kthye në një goditje të fortë emocionale.
Aktori shpresonte se ajo natë do të kthehej në një festë familjare për të festuar suksesin e tij, por prindërit e tij vendosën të mos e shoqëronin në ceremoni.
Në atë moment, Stallone e kuptoi se e vetmja mbështetje dhe dashuri që do të merrte në atë periudhë të jetës vjen nga publiku që ndiqte filmin në errësirën e sallës së kinemasë.
Gjatë një bisede me gazetaren Tracy Smith nga CBS në qendrën kulturore 92NY, aktori kujtoi emocionet e përziera kur filmi i tij u shpall fitues.
“Shtohesha aty dhe thosha me vete: ‘Nuk ka asnjë shans që të fitojmë’, Madje pati edhe skenaristë rivalë që më erdhën e më thënë troç: ‘Nuk do të fitosh’, shprehet aktori.
“Ai vazhdoi më tej me rrëfimin e tij: Kur dëgjova duartrokitjet, doja të fundosesha në karrige. Dhe vërtet e bëra. Nuk ndjeva ndonjë entuziazëm të madh, por një lloj trishtimi. Mendoja se do të ishte diçka festuese, diçka familjare… sikur të thoshim ‘ia dolëm!’. Por nuk qe ashtu. Kuptova se e vetmja dashuri që do të ndieja vërtet në atë moment të jetës sime ishte dashuria e njerëzve që qëndrojnë në errësirë.
Filmi “Rocky”, i shkruar nga vetë Stallone dhe ku ai interpretoi rolin kryesor, triumfoi përballë rivalëve të fortë si “Taxi Driver”, “Network” dhe “All the President’s Men”.
Nga 10 nominime në total, ai rrëmbeu 3 statuja të arta Oscar, duke mbetur një nga filmat më të dashur në historinë e Hollywood-it.
Megjithatë, mungesa e prindërve në sallë nxori në pah marrëdhëniet e tij të ndërlikuara familjare.
Stallone pranoi se e ka pasur të pamundur ta tejkalojë këtë plagë: Mungesa në ceremoni: “Është një moment vullkanik që më pas u kthye në diçka shumë të trishtë. Dëshiron që njerëzit që do, ata që të kanë mohuar, të jenë aty me ty te Çmimet Oscar, por ata refuzojnë të vijnë.
Në atë moment kupton se nuk do ta kapërcesh kurrë këtë gjë.
“Unë e shoh fëmijën si një copë argjile të lagur. Nëse e rrëzon dy herë, krijon goditje të përhershme që nuk ikin më. Kështu që duhet të ecësh përgjatë jetës me këto probleme, sepse ato nuk largohen kurrë”, tregon Silvester Stalone.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




