“Për një fjalë goje”, humori dhe absurdi në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë

Kulturë | 1 orë më parë

Dialogë plot batuta, keqkuptime dhe situata që përshkallëzohen nga një moment në tjetrin shoqëruan mbrëmjen e së dielës në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë.

Komedia “Për një fjalë goje” vendos në qendër të historisë një situatë që nis nga një fjalë e vetme dhe më pas merr rrjedhë të papritur.

Ngjarjet zhvillohen përmes një sërë përplasjesh dhe situatash absurde, duke krijuar momente humori për publikun. Në skenë u ngjitën aktorët Ledion Zoi, Erli Fortuzi dhe Ledio Lako.

Mesazhi i shfaqjes është se si njerëzit, dy njerëz të ngushtë, që ndodh në çdo vend të botës, zihen për një tekë të vogël, për një fjalë goje dhe ky është dhe titulli i veprës “Për një fjalë goje” dhe pastaj se si arrin konflikti i tyre deri në dimensione sa ata dhe për leshën”, tha aktori Ledio Lako.

“Është një vepër që flet për njeriun, njeriu për njeriun. Është ajo që ne jemi në ditët e përditshme ku për një ‘n’, siç tha Ledio, që ti nuk e vë fjala mik bëhet ik”, u shpreh aktori Ledion Zoi.

Ritmi i shfaqjes dhe ndërthurja e humorit me situatat e papritura e mbajtën publikun të përfshirë gjatë gjithë mbrëmjes. Përtej të qeshurave, historia sjell edhe një reflektim mbi peshën që mund të marrë një fjalë në marrëdhëniet mes njerëzve.

“’E lagu se lagu’, një gjë e mrekullueshme. Teatri i Vlorës po bën gjëra të bukura dhe i jep qytetit tonë një fytyrë vërtetë qytetare”, tha një spektator.

Mbrëmja u mbyll mes duartrokitjeve, duke lënë pas një tjetër takim të publikut vlonjat me teatrin dhe komedinë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme