Zanetti për ndeshjen e fundit të Messi-t: Leo si Maradona, ka bashkuar një popull!

Futboll Bota | 1 orë më parë

Argjentinasi i njohur, zëvendëspresident i Inter-it, flet për lamtumirën e “pleshtit” nga kombëtarja: “E kujtoj të ndrojtur dhe fenomenal, do të marrë dashurinë e të gjithëve”

Janë ditë emocionesh për çdo argjentinas dhe aq më tepër për dikë që ka luajtur 37 ndeshje bashkë me Leo Messi-n me fanellën e Argjentinës. Javier Zanetti e ka shoqëruar vëllanë e vogël në distancë gjatë gjithë udhëtimit të tij pa kohë.

Miqësorja Argjentinë-Benin që luhet më 7 tetor në “Monumental” është ndeshja e lamtumirës dhe nderimit të Messi-t nga argjentinasit.

Si e kujton Zanetti Messi-in? “Fliste pak, ishte shumë i ri, por fenomenal. Kujtoj një episod te Rosario, ku organizuam bashkë me Maxi Rodriguez një ndeshje solidarieteti në stadiumin e Newell’s Old Boys. Ishin 40.000 njerëz, të gjithë për të. Ka qenë gjithmonë gati, i ndjeshëm për evente të këtij lloji. Dhe kjo do të thotë shumë për të.

Që në stërvitjen e parë e kuptuam që ai ishte ndryshe. Ishte e qartë që do ta bënte të madhe kombëtaren tonë. Pas Diego-s, lindi një tjetër gjeni dhe sërish në vendin tonë. E pabesueshme.

Kam pasur gjithmonë një raport të mirë me të, respekt reciprok. Shpresoj që në këtë event të përjetojë gjithë emocionet që meriton dhe të marrë gjithë dashurinë e popullit argjentinas.

Ka dhënë gjithçka, ndaj duhet respektuar. Messi ka arritur të bashkojë një popull të tërë, si Maradona. Mos i krahasoni. Të dy janë esenca e futbollit dhe falë Zotit, kanë lindur të dy në Argjentinë. Dua ta falënderoj Messi-n për gjithë emocionet që na ka dhuruar, për mënyrën si na ka përfaqësuar në gjithë botën”, – është shprehuar Zanetti.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme