Ratifikimi i Konventës për Avokatinë, Gogu: Standardet ndërkombëtare duhen zbatuar dhe monitoruar

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, paraqiti në Komisionin e Ligjeve Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, në kuadër të procedurës për ratifikimin e saj nga Kuvendi.
Në fjalën e tij, ministri Gogu vuri në qendër qytetarin dhe të drejtën e tij për një mbrojtje efektive përballë pushtetit të shtetit, duke theksuar se çështja nuk lidhet thjesht me një profesion.
“Çështja që trajtohet sot nuk është një çështje thjesht e profesionit të avokatit, por ka të bëjë me thelbin kur secili prej nesh gjendet përballë pushtetit të shtetit”, u shpreh Gogu.
Konventa synon të garantojë kushtet që avokati ta ushtrojë profesionin në mënyrë të lirë dhe të pavarur, duke mbrojtur lirinë e shprehjes, konfidencialitetin e komunikimit avokat–klient, mbrojtjen nga kërcënimet dhe ngacmimet, si dhe procedura disiplinore të drejta dhe proporcionale.
Ministri theksoi se këto garanci nuk i japin avokatit imunitet nga ligji, por mbrojnë kushtet në të cilat ai ushtron funksionin e tij në shtetin e së drejtës.
Gogu nënvizoi gjithashtu se një drejtësi e fortë nuk ndërtohet duke dobësuar njërën palë në proces.
“Një sistem i drejtë kërkon që prokurori të ketë të gjitha mjetet për të hetuar, gjykata të jetë e pavarur për të kontrolluar ligjshmërinë dhe mbrojtja e lirë për të kundërshtuar shtetin kur ligji dhe faktet e kërkojnë. Fuqia e njërës nuk matet me dobësimin e tjetrës”, tha ai.
Konventa parashikon edhe monitorimin e zbatimit të saj nga GRAVO, grup ekspertësh të pavarur të Këshillit të Europës.
Sipas ministrit, ratifikimi nuk është deklaratë se të gjitha problematikat janë zgjidhur, por pranim i një standardi ndërkombëtar dhe i faktit që mënyra e zbatimit të tij duhet të jetë e matshme edhe nga jashtë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




