Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio mbërrin në Athinë, në fokus Dialogu Strategjik dhe tri marrëveshje

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, mbërriti të martën në Athinë për një vizitë dyditore, ku do të marrë pjesë në raundin e gjashtë të Dialogut Strategjik mes Greqisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në aeroportin “Eleftherios Venizelos”, ai u prit nga ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, ambasadorja amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, si dhe zyrtarë të lartë nga të dy vendet.
Takimet zyrtare nisin të mërkurën në Ministrinë e Jashtme greke, ku Rubio do të zhvillojë bisedime me homologun e tij grek dhe më pas do të japin deklarata të përbashkëta për mediat.
Në axhendë është edhe një takim me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, ku pritet të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale.
Bashkëpunimi në mbrojtje, siguria energjetike dhe situata gjeopolitike në Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme janë temat kyçe të bisedimeve.
Palët do të trajtojnë gjithashtu çështje që lidhen me tregtinë, investimet, teknologjinë, transportin detar dhe rolin e Greqisë si nyje energjetike për Evropën Juglindore.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit ushtarak, përfshirë pjesëmarrjen e Greqisë në programin e avionëve luftarakë F-35 dhe rëndësinë strategjike të bazave në Sudë dhe Aleksandrupoli.
Në kuadër të Dialogut Strategjik pritet të nënshkruhen tri marrëveshje: për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore greke dhe luftën kundër trafikimit të objekteve arkeologjike, për bashkëpunimin mes Forcave të Armatosura Greke dhe Gardës Kombëtare të Floridës, si dhe për njohjen reciproke të certifikatave të kompetencës detare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




