Karakaçi: Rehabilitim në ujësjellës dhe kanalizime në Durrës, projekti me vlerë 118 mln euro

Ekonomi | 1 orë më parë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur një sërë projektesh të reja investimi në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve dhe eficiencën energjetike që janë miratuar në mbledhjen e qeverisë.

Një nga projektet e miratuara lidhet me rehabilitimin e sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimeve në Durrës, si dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura. Sipas Karakaçit, investimi parashikon rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve, si dhe zgjerimin e kapaciteteve të impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës.

Po ashtu, ministri njoftoi edhe zgjerimin e fazës së investimeve në Durrës, ku përfshihen zonat e Shkozetit, Porto Romanos dhe Spitallës.

“Miratuam disa projekte, si ai me qeverinë franceze për projektin e rehabilitimit të ujësjellësit të Durrësit, së bashku me sistemin e kanalizimeve dhe impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura. Kemi 80 milionë euro grant nga BE-ja, përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Ky projekt ka një vlerë prej 118 milionë eurosh, ku 80 milionë euro janë grant. Projekti përfshin rehabilitimin e sistemit të ujësjellësit, kanalizimeve dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës.

Po sot morëm lajmin për zgjerimin e fazës së investimit në Durrës, që përfshin zonën e Shkozetit, Porto Romanos dhe Spitallës. Nga BE-ja, përsëri përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, është alokuar një grant prej 50 milionë eurosh, që e bën të mundur zgjerimin në këto tre zona”, tha Karakaçi.

Karakaçi tha se janë miratuar edhe dy projekte të tjera për Bashkinë Tiranë, ku i pari lidhet me përmirësimin e sistemit të ujësjellësit dhe projekti i dytë parashikon investime për eficiencën e energjisë në 50 shkolla publike.

“Miratuam dy projekte shumë të rëndësishme. I pari është një projekt për përmirësimin e sistemit të ujësjellësit në Bashkinë Tiranë, me ndërtimin e 40 kilometrave tubacione të reja dhe rehabilitimin e 10 kilometrave tubacione ekzistuese, si dhe sistemet inteligjente të matjes. Jemi në bashkëfinancim me Bankën Europiane të Investimeve, ku vlera e projektit është 80 milionë euro dhe aty do të marrim një grant mbi 50% të investimit.

I dyti është investimi për eficiencën e energjisë në 50 shkolla publike, ku kemi rehabilitimin e këtyre shkollave nga pikëpamja strukturore dhe investime në panele diellore dhe sisteme kapot, për një performancë më të mirë energjetike në këto shkolla. Ky investim ka një vlerë prej rreth 22 milionë eurosh”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme