Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë në 2.5%, ekonomia rritet me 3.6%, kreditë me probleme prekin nivelin më të ulët

Ekonomi | 46 minuta më parë

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mërkurën të mbajë të pandryshuar qëndrimin e saj të politikës monetare, duke e lënë normën bazë të interesit në nivelin 2.5%.

Gjatë shqyrtimit të Raportit të Ndërmjetëm të Politikës Monetare, Këshilli vendosi gjithashtu të mbajë të pandryshuara normën e interesit të depozitës njëditore në nivelin 1.5% dhe atë të kredisë njëditore në 3.5%.

Presionet inflacioniste dhe tregjet e huaja

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, bëri të ditur se inflacioni i çmimeve të konsumit gjatë muajve korrik-gusht regjistroi një mesatare prej 3.3%, një nivel ky disi më i shpejtë se pritshmëritë e institucionit, por i ngjashëm me tendencat në vendet partnere.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit erdhi në rritje gjatë muajve korrik-gusht. Në një kontekst më të gjerë, ai pasqyron efektet direkte dhe indirekte të rritjes së çmimeve të naftës, produkteve energjetike, ushqimeve dhe të lëndëve të tjera bazë në tregjet botërore,” deklaroi Guvernatori Sejko, duke theksuar se rritja vjen si pasojë e intensifikimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Pavarësisht rritjes në tregjet ndërkombëtare, Guvernatori shtoi se inflacioni bazë dhe ai i brendshëm kanë ardhur në rënie, kryesisht falë stabilizimit të tregut të qirave afatgjata dhe efektit frenues nga forcimi i kursit të këmbimit.

Ekonomia në zgjerim dhe sfidat e tregut të punës

Raporti evidenton se ekonomia shqiptare është rritur me 3.6% në tremujorin e dytë të vitit, e mbështetur nga konsumi, investimet dhe të ardhurat nga turizmi. Sektorët prijës të kësaj rritjeje mbeten ndërtimi dhe shërbimet. Ky zgjerim i aktivitetit ekonomik është reflektuar drejtpërdrejt në punësim.

Norma e papunësisë ka rënë në minimumin historik prej 8.3%, ndërsa paga mesatare ka regjistruar një rritje prej 11.5%. Megjithatë, pikërisht ky shtrëngim i tregut të punës shihet si një rrezik potencial për çmimet në të ardhmen.

“Presionet e brendshme dhe afatmesme mbi inflacionin vijojnë të jenë të ndikuara nga mungesat e tregut të punës dhe nga rritja e shpejtë e pagave,” shpjegoi Sejko. Ai paralajmëroi se mungesa e ofertës në këtë treg mbetet një burim rreziku për zhvendosjen e ekuilibrave të çmimeve.

Kredia shënon rritje të shpejtë, bie niveli i kredive të këqija

Politika monetare akomoduese ka dhënë një efekt të ndjeshëm në tregjet financiare, duke mbajtur kosto të ulëta financimi. Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje vjetore të theksuar prej 15.4% gjatë muajve korrik-gusht, duke mbështetur blerjen e banesave, biznesin dhe konsumin.

Në të njëjtën kohë, treguesit e cilësisë mbeten të shëndetshëm. Raporti i kredive me probleme (NPL) ka rënë në 3.7%, duke shënuar nivelin më të ulët që pas krizës financiare globale.

E ardhmja e politikës monetare

Në përfundim, Banka e Shqipërisë parashikon që ekonomia të vijojë trajektoren pozitive të zhvillimit, ndërsa inflacioni mund të pësojë një rritje të lehtë në dy tremujorët e ardhshëm, përpara se të kthehet gradualisht drejt objektivit nga mesi i vitit të ardhshëm. Edhe pse normat u mbajtën të pandryshuara sot, BSH la të hapur mundësinë e ndërhyrjeve.

“Këto parashikime, si dhe prania e rreziqeve të kahut të sipërm mbi inflacionin, forcojnë premisat për një lëvizje në kahun normalizues të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen,” përfundoi deklaratën e tij Guvernatori, duke theksuar se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të reagojë me kohën dhe forcën e duhur ndaj çdo rreziku mbi stabilitetin e çmimeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme