Alarm pas vdekjes në laboratorin e Siberisë/SHBA-ja, BE-ja dhe OBSH-ja kërkojnë sqarime nga Rusia për shkakun e vdekjes

Botë | 1 orë më parë

Vdekja e një punonjëseje 28-vjeçare në një laborator kërkimor në Siberi ka ngritur shqetësime ndërkombëtare, ndërsa Rusia po përballet me kërkesa për transparencë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se pritet të flasë së shpejti me homologun rus, Vladimir Putin, për këtë çështje, ndërsa Moska mohon se është planifikuar një bisedë telefonike mes tyre. Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Rusisë një kërkesë zyrtare diplomatike për më shumë informacion mbi incidentin, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk kishte dijeni për një kërkesë të tillë.

Autoritetet ruse deklarojnë se shkaku i vdekjes së gruas, e cila punonte në një institut kërkimor për murtajën, mbetet i paqartë dhe e kanë përshkruar rastin si pneumoni me origjinë të panjohur. Raportimet e para ngritën dyshime se ajo mund të ishte infektuar pas thyerjes së një epruvete me patogjen ose gjatë një ekspedite në terren, por këto versione nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Sipas raportimeve, rreth 200 persona në rajonin e Irkutskut janë vendosur nën vëzhgim mjekësor, ndërsa autoritetet ruse thonë se personat që kanë pasur kontakt me viktimën kanë rezultuar negativë në testet përkatëse.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se mungesa e informacionit të plotë nuk lejon ende një vlerësim të saktë të rrezikut për shëndetin publik. OBSH-ja kërkon të sqarojë si shkakun e vdekjes, ashtu edhe mënyrën e mundshme të infektimit, ndërsa ka kërkuar përgjigje edhe për raportimet mbi një punonjës të dytë me pneumoni të pashpjeguar.

Edhe Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Moskës të ndajë në kohë të dhëna të besueshme epidemiologjike dhe mikrobiologjike, ndërsa po e ndjek situatën në bashkëpunim me ekspertët e shëndetit publik.

Deri në konfirmimin e shkakut të vdekjes, dyshimet për murtajë pneumonike mbeten të pakonfirmuara dhe autoritetet ndërkombëtare presin sqarime nga Rusia për të përcaktuar nëse ekziston ndonjë rrezik më i gjerë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme