Përshkallëzohen protestat në Francë/Qeveria kërkon dialog me nxënësit, në shkolla risnis gradualisht mësimi

Europë | 1 orë më parë

Pas protestave masive, shkollat e mesme në Francë kanë nisur gradualisht mësimin, ndërsa qeveria u bën thirrje nxënësve të nisin dialogun. Sipas Ministrisë së Arsimit, rreth 86 për qind e shkollave hapën dyert, ndërsa pjesa tjetër vijon të mbetet e bllokuar.

Në Paris, megjithatë, situata mbetet e tensionuar, pasi në disa shkolla nxënësit vijojnë protestën dhe hyrjet janë bllokuar me kosha mbeturinash. Protestat nisën në mesin e shtatorit në periferitë e Parisit dhe u nxitën kryesisht nga kushtet e këqija të godinave, klasat e mbipopulluara dhe mungesa e mësuesve.

Lëvizja është përhapur veçanërisht në zonat e banuara nga familje të klasës punëtore, ku nxënësit kërkojnë ndërhyrje konkrete nga autoritetet. Qeveria franceze po përpiqet të rikthejë normalitetin në shkolla, ndërsa u ka bërë thirrje protestuesve të rinj të zgjedhin dialogun në vend të përshkallëzimit të protestave.

Ndërkohë, sindikatat e nxënësve dhe organizatat studentore kanë paralajmëruar protesta të reja për të enjten në Paris dhe qytete të tjera. Thirrjet për protesta kanë marrë mbështetjen edhe të pesë sindikatave të mësuesve, duke rritur rrezikun e rikthimit të tensioneve në shkollat franceze. Autoritetet shpresojnë që dialogu dhe rikthimi gradual i mësimit të frenojnë protestat, por situata mbetet e paqartë dhe pritet të varet edhe nga reagimi i qeverisë ndaj kërkesave të nxënësve.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme