Francë, pezullohet përdorimi i granatave nga policia pas plagosjes së 15-vjeçarit

Qeveria franceze ka pezulluar përkohësisht përdorimin e granatave zhurmuese nga policia gjatë protestave të nxënësve të shkollave të mesme, pas plagosjes së rëndë të një 15-vjeçari. Ndërkohë, protestat për kushtet në arsim vijojnë në disa qytete të vendit. Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, njoftoi se kishte urdhëruar pezullimin e përdorimit të granatave gjatë demonstratave të nxënësve, pasi një 15-vjeçar humbi njërën dorë gjatë një proteste në Lens, në veri të Francës.
Rrethanat e sakta të incidentit ende nuk janë përcaktuar. Autoritetet po hetojnë nëse i riu e kishte marrë granatën apo nëse ishte goditur prej saj.
Sipas autoriteteve, rreth 200 protestues kishin hedhur objekte drejt policisë përpara ndërhyrjes së forcave të rendit. Nuñez tha se përdorimi i granatave do të mbetet i pezulluar “derisa të dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur”.
Nëna e 15-vjeçarit konfirmoi se dora e të birit ishte amputuar. “Jeta e tij është vjedhur. Ai është një fëmijë 15-vjeçar, si mund të trajtohen fëmijët në këtë mënyrë?”, deklaroi ajo për mediat franceze.
Ajo mohoi që djali i saj të ishte përpjekur ta merrte granatën.
Protestat kanë nisur për shkak të problemeve të përsëritura në sistemin arsimor, përfshirë mungesën e mësuesve, klasat e mbipopulluara, kushtet e dobëta të ndërtesave dhe oraret e gjata mësimore. Ministri Nuñez deklaroi se që nga fillimi i protestave janë plagosur 215 nxënës dhe 89 anëtarë të stafit të shkollave, ndërsa të paktën 761 efektivë policie kanë pësuar lëndime.
Autoritetet kanë hapur gjithashtu 18 hetime të brendshme lidhur me pretendimet për përdorim joproporcional të forcës nga policia. Në mesin e rasteve nën hetim janë edhe incidente ku një protestues i ri humbi disa dhëmbë dhe një tjetër humbi shikimin në njërin sy.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



