“Idromeno” mbyll edicionin e pestë, kinema “Republika” në Shkodër, hapësirë e rëndësishme për filmin

Film | 2 orë më parë

Pas më shumë se një jave kushtuar artit të shtatë, Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Idromeno” ka përmbyllur edicionin e tij të pestë në Shkodër.

Kinema “Republika” u shndërrua në hapësirën kryesore të festivalit, duke mirëpritur filma të zhanreve të ndryshme dhe duke krijuar mundësi për takime mes publikut dhe kineastëve. Drejtorja artistike, Sonela Pirani, vlerëson rëndësinë e kësaj hapësire kulturore, si dhe praninë e regjisorëve në disa prej netëve të festivalit.

Sonela Pirani, drejtore artistike e festivalit, u shpreh “Sheshi i Republikës së Shqipërisë është një hapësirë e rëndësishme, në radhë të parë për vlerën historike që mbart si monument dhe, së dyti, për vetë konceptin e festivalit. Kinemaja nuk është në kushtet më të mira. Të gjithë e kanë shijuar këtë hapësirë dhe e vlerësojnë shumë, edhe për arkitekturën e saj.”

Përtej shfaqjeve filmike, festivali krijoi mundësi për diskutime dhe shkëmbim mendimesh rreth krijimtarisë kinematografike.

Anëtari i jurisë, Suad Arilla, veçon pikërisht takimet dhe bisedat mbi filmat si një nga aspektet më të rëndësishme të këtij edicioni.

Suad Arilla, anëtar i jurisë, u shpreh “Ky edicion i pestë është vërtet ndryshe, jo vetëm nga edicionet e tjera, por është bërë shumë special edhe nga fakti që një komunitet filmdashësish nga e gjithë bota mblidhet në Shkodër, diskuton, analizon dhe, vetëm për kënaqësinë e vet, ndjek filma. Është një moment shumë i rëndësishëm për të ndalur kohën dhe për ta veçuar filmin si një nga shprehjet më të rëndësishme të artit.”

Nata përmbyllëse u shoqërua edhe me shpalljen e fituesve. Filmi “Aisha Can’t Fly Away” i regjisorit Morad Mostafa u vlerësua si filmi më i mirë me metrazh të gjatë, ndërsa “The Shot” fitoi çmimin për filmin më të mirë me metrazh të shkurtër. Çmime u ndanë edhe për regjinë më të mirë të filmit të shkurtër, filmin e animuar dhe filmin studentor.

Me përfundimin e edicionit të pestë, Festivali “Idromeno” vijon të afirmojë Shkodrën si një hapësirë takimi për krijuesit e kinematografisë dhe publikun artdashës.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/ 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme