Sulmet ndaj Arabisë Saudite, Rama: Asnjë justifikim, të ndalen menjëherë. Huthët dhe sponsorët e tyre në Teheran të mbajnë përgjegjësi

Politikë | 1 orë më parë

Kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmet e Huthëve kundër Arabisë Saudite, përfshirë sulmin vdekjeprurës ndaj Aeroportit Ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në Riad.

Rama theksoi se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile nuk mund të justifikohen, duke nënvizuar se akte të tilla kërcënojnë paqen rajonale dhe sigurinë e rrugëve jetike të transportit ndërkombëtar.

Ai kërkoi gjithashtu që Huthët dhe mbështetësit e tyre në Teheran të mbajnë përgjegjësi për sulmet.

“Shqipëria dënon me forcën më të madhe sulmet e Huthëve kundër Arabisë Saudite, përfshirë sulmin vdekjeprurës ndaj Aeroportit Ndërkombëtar Mbreti Khalid në Riad. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile. Këto akte kërcënojnë paqen rajonale dhe sigurinë e rrugëve jetike të transportit ndërkombëtar.

Huthët dhe sponsorët e tyre të mirënjohur të terrorit në Teheran duhet të mbajnë përgjegjësi. Bashkësia ndërkombëtare duhet të flasë me një zë të vetëm dhe të qartë: këto sulme duhet të ndalen menjëherë’, shkruan Rama.

Rama shprehu solidaritetin e Shqipërisë me Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe popullin e saj, ndërsa u përcolli ngushëllimet familjeve të viktimave dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

“Qëndrojmë vendosmërisht në krah të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe popullit të saj. U shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të viktimave dhe u urojmë të gjithë të plagosurve shërim të shpejtë’, shkruan Rama.

Sulmet në aeroportin e Riadit lanë të paktën 12 të vdekur dhe mbi 300 persona të plagosur, duke pezulluar përkohësisht edhe fluturimet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme