Sfida e strehimit, po ndërtohet vetëm atje ku janë përqendruar kapitalet

Ekonomi | 42 minuta më parë

Sfida e simetrisë së fuqisë blerëse është shfaqur përmes treguesish të rinj në tregun imobiliar. Studimi më i fundit ndërsa konstaton çmimet  sheh vështirësi në faktin rritja e tyre nuk shoqërohet me rritjen e ofertës.

“Në momentin që kapitali financohet përmes ofertave brenda shoqërive, por edhe ofertave të jashtme, pra përmes financimit që vjen nga institucionet financiare, nga burime të ndryshme, nga kompani offshore apo nga ata që quhen jorezidentë shqiptarë, të gjitha këto kanë bërë që tregu të marrë një dimension asimetrik në raport me kërkesën masive të çifteve dhe të atyre që janë në nevojë”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj.

Sfida shfaqet sipas studimit edhe në përqendrimin financiar: Tirana dhe Durrësi administrojnë rreth 54% të depozitave bankare kombëtare, ndërsa remitancat dhe flukset informale shtojnë kapitalin që hyn në tregun e banesave.

“Kemi një përqendrim të ndërtimeve nga viti në vit, të shprehur nëpërmjet lejeve të ndërtimit, por edhe të atyre që tashmë janë ndërtuar, rreth zonave ku është më i përqendruar edhe kapitali. Pra, ato nuk shkojnë në proporcion të drejtë me shpërndarjen e popullsisë dhe me nevojat e saj, por përqendrohen aty ku tregu i banesave është më i shitshëm dhe ku kapitali qarkullon më shpejt”, tha ai.

Strehimi i shfaqur si sfidë sociale pas zhvillimeve në ndërtim prek sipas ekspertit Gjokutaj kategoritë që nuk ndër këmbejnë me këtë treg.

“Një politikë më e ç’polarizuar, do të thosha, duhet të synojë pikërisht edhe atë që ndodh me lëvizjen e brendshme, në momentin kur strehimi është një nga problemet për çiftet e reja në periferi të Shqipërisë. Kemi të bëjmë me një sasi të madhe kapitali, e cila vihet pjesërisht në punë apo hyn në qarkullim, ndërsa pjesa tjetër mbetet kapital i fjetur, që ekonomisë i duhet ta vërë në funksion të një sektori apo të një dimensioni tjetër të së ardhmes”, theksoi eksperti.

Gazetare : Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme