Trump shpalli armëpushim për infrastrukturën energjetike në Ukrainë, Zelenskyy: E pranojmë nëse e respekton dhe Moska

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar arritjen e një armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës, i cili synon ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike. Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi fillimisht se nuk kishte dijeni për marrëveshjen, duke theksuar se Kievi është i gatshëm ta respektojë atë nëse edhe Moska vepron në të njëjtën mënyrë.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, Trump shkroi se armëpushimi hynte në fuqi menjëherë dhe se të dyja palët kishin rënë dakord. “Të dyja palët kanë rënë dakord. Mos e shkelni!”, deklaroi presidenti amerikan, pa dhënë detaje të mëtejshme për kushtet apo mënyrën e zbatimit të marrëveshjes.
Në një reagim për platformën Axios, Zelenskyy tha se njoftimi ishte i papritur për të. Ai theksoi se Ukraina do ta pranonte armëpushimin nëse ai ishte negociuar nga Trump me presidentin rus, Vladimir Putin, duke kërkuar sqarime për momentin kur do të niste zbatimi i tij.
“Ne jemi gati dhe do ta pranojmë”, u shpreh presidenti ukrainas, duke nënvizuar se ndalimi i sulmeve duhet të jetë i ndërsjellë.
Më herët, Zelenskyy kishte kundërshtuar kërkesën e Trump që Ukraina të ndalonte sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës. Kreu i shtetit ukrainas argumentoi se Moska duhet të ndalojë fillimisht sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Sipas tij, çdo marrëveshje për ndërprerjen e sulmeve me dronë me rreze të gjatë veprimi duhet të zbatohet nga të dyja palët dhe të shoqërohet me garanci konkrete. Zelenskyy ka kërkuar gjithashtu që aleatët e Ukrainës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të mbajnë presionin ndaj Rusisë.
Njoftimi i Trump erdhi në një moment tensionesh mes Uashingtonit dhe Kievit, pas vendimit të administratës amerikane për të lehtësuar përkohësisht sanksionet ndaj eksporteve ruse të karburantit. Trump ka argumentuar se kjo masë synon të ulë çmimet e karburanteve, ndërsa Zelenskyy ka paralajmëruar se të ardhurat shtesë mund të ndihmojnë Moskën të financojë luftën.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase raportuan se sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike vijuan edhe pas shpalljes së armëpushimit. Zelenskyy bëri të ditur se dronët rusë kishin goditur territorin ukrainas dhe se një central elektrik në Kharkiv ishte sulmuar gjatë mbrëmjes.
Moska nuk kishte dhënë një konfirmim të menjëhershëm për marrëveshjen e shpallur nga presidenti amerikan. Mungesa e detajeve dhe raportimet për sulme të mëtejshme ngritën pikëpyetje mbi zbatimin e armëpushimit.
Nuk është hera e parë që Trump njofton një marrëveshje të tillë. Sipas raportimit të “The Guardian”, edhe në shtator presidenti amerikan kishte deklaruar se ishte arritur një armëpushim për infrastrukturën energjetike, por pretendimi nuk ishte konfirmuar nga zhvillimet në terren.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




