Trump hedh poshtë pretendimet: Moska dhe Pekini s’po ndihmojnë Iranin

Trump vallëzon gjatë fushatës në Youngstown, Ohio, [Kent Nishimura / AFP]
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka reaguar ndaj kritikëve të tij lidhur me dyshimet për një mbështetje të mundshme ushtarake apo logjistike që Kina dhe Rusia mund t’i jenë duke i ofruar Republikës Islamike të Iranit.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Presidenti Trump deklaroi se nuk beson fare që dy fuqitë e mëdha po e ndihmojnë Teheranin.
“Pashë aq shumë komente nga moronët dhe të çmendurit e së majtës radikale se Kina dhe Rusia po ndihmojnë Republikën Islamike të Iranit. Nëse po e bëjnë këtë, është në një nivel shumë të ulët, por unë nuk besoj se po e bëjnë. Të dyja këto vende kanë shumë për të humbur, dhe ne do ta dinim këtë gjë shumë shpejt!”, shkruan Trump.
Kjo deklaratë e Trump vjen në një kohë presioni të shtuar nga kritikët dhe raportimet e inteligjencës se partnerët lindorë mund të jenë duke ofruar asistencë për Iranin.
Sidoqoftë, Trump argumentoi se si Pekini ashtu edhe Moska kanë interes ekonomiko-politik për të mos hyrë në konfrontim direkt me Uashingtonin, duke theksuar aftësitë e inteligjencës amerikane për të identifikuar çdo ndihmë potenciale ushtarake apo financiare në kohë rekord.
Presidenti amerikan ka mbajtur një linjë të ngjashme edhe më parë, duke paralajmëruar se çdo përfshirje e drejtpërdrejtë nga Kina apo Rusia do të kishte pasojë mjaft të rënda për to.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




