Tragjedi në jug të Kretës, gjenden pa jetë 12 emigrantë në një gomone, shpëtohen 105 persona

Botë | 1 minutë më parë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në jug të ishullit të Kretës, ku 12 emigrantë janë gjetur pa shenja jete në një gomone pranë brigjeve të Kala Limenas. Ndërkohë, rreth 105 persona të tjerë janë shpëtuar gjatë tre operacioneve të kërkim-shpëtimit.

Ngjarja e rëndë u zbulua rreth 15 milje detare në juglindje të Kala Limenas, pasi një anije kontejnerësh me flamur marokeni konstatoi praninë e një gomoneje me emigrantë dhe njoftoi autoritetet.

Roja Bregdetare greke ndërhyri në zonë, duke shpëtuar 18 persona dhe duke nxjerrë trupat e 12 viktimave. Të mbijetuarit dhe viktimat po transportohen drejt portit të Agia Galinit.

Ndërkohë, dy operacione të tjera shpëtimi u zhvilluan në jug të Kalamakit, ku u konstatuan dy gomone me rreth 47 dhe 40 emigrantë.

Në këto operacione ndihmoi edhe agjencia evropiane Frontex, përmes mjeteve ajrore me dhe pa pilot. Rreth 87 persona u morën në bord nga ekipet e shpëtimit dhe do të transferohen në portin e Kala Limenas.

Pavarësisht kushteve të mira atmosferike në zonë, tragjedia ka rikthyer vëmendjen te rreziqet e udhëtimeve të emigrantëve përmes detit drejt Evropës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme