Buxheti 2027, Luarasi vlerëson RTSH-në: Progresraporti evidenton përpjekjet dhe rezultatet pozitive

Aktualitet | 19 minuta më parë

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me Këshillin Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), në kuadër të shqyrtimit të projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2027”.

Zv.kryetarja e komisionit, Iris Luarasi, vlerësoi rolin dhe përgjegjësinë e veçantë të RTSH-së si i vetmi televizion që ka detyrimin t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë fjalës së saj, Luarasi u ndal te vlerësimet pozitive për RTSH-në, të evidentuara edhe në progresraportin e këtij viti. Sipas saj, ndryshe nga raportet e viteve të mëparshme, ku theksi vendosej kryesisht te problematikat, këtë vit evidentohen edhe përpjekjet dhe rezultatet pozitive të institucionit.

Ajo vlerësoi qasjen e drejtimit të ri të televizionit, si në aspektin administrativ, të drejtuar nga Eni Vasili, ashtu edhe në rolin e Këshillit Drejtues, duke theksuar se këto zhvillime janë pasqyruar edhe në progresraport.

Një tjetër zhvillim pozitiv i përmendur nga Luarasi është përfshirja e RTSH-së në Komitetin e Përbashkët të Industrisë për Matjen e Audiencës. RTSH është bërë anëtare e këtij komiteti në shtator të vitit 2025, një hap që, sipas saj, përbën një zhvillim të rëndësishëm për institucionin dhe për procesin e matjes së audiencës në vend.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme