Lini zgjidh problemin e ujit dhe kanalizimeve, investimi i jep fund ndotjes së liqenit

Sociale | 1 minutë më parë

I njohur për natyrën e veçantë, sitet kulturore dhe historinë e tij të lashtë, fshati turistik Lin në Pogradec prej vitesh përballej me mungesën e shërbimeve bazë. Shkarkimi i ujërave të ndotura në liqen krijonte jo vetëm ndotje mjedisore, por edhe situata të pakëndshme për vizitorët, me aroma të rënda që përhapeshin në zona të ndryshme të fshatit. Falë një investimi të qeverisë shqiptare, këto dy problematika kane  marr zgjidhje përfundimtare, duke përmirësuar kushtet e jetesës për banorët dhe standardet e shërbimeve për turistët që vizitojnë këtë zonë.

“Është puna më e shkëlqyer deri tani që po bëhet në Lin edhe ishalla të mbarojë këtë vit. Të funksionojë këtë vit”, u shpreh një banor i fshatit.

Megjithatë, zbatimi i projektit nuk ka kaluar pa debate. Banorët kanë kërkuar garanci për lidhjen 100% të familjeve me rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve, si dhe për sistemimin e rrugëve që janë dëmtuar gjatë punimeve. Sipas drejtuesit të punimeve, Elio Dodaj, të gjitha këto problematika do të marrin zgjidhje deri në përfundimin e projektit.

“Me përfundimin e pjesës së mbetur të punimeve, do të jenë patjetër të lidhura 100% e familjeve. Rruga, e cila është dëmtuar nga këto punime, do të rikthehet në gjendjen fillestare, madje edhe më mirë. Nuk do të ketë më probleme me baltën apo pengesa të tjera. Gjithçka do të rikuperohet plotësisht. Nuk do të ketë më derdhje në liqen, siç ka ndodhur deri më sot. Ujërat e zeza do të trajtohen përmes dekantuesve dhe do të drenazhohen”, tha Dodaj.

Zgjidhja e problematikës së ujërave të zeza në Lin dhe në disa fshatra të tjerë përgjatë bregut të liqenit të Ohrit ka qenë edhe një prej kërkesave të rëndësishme të UNESCO-s ndaj institucioneve shqiptare. Shkarkimi i ujërave të ndotura përbënte një rrezik për ekosistemin e liqenit, duke dëmtuar florën dhe faunën e tij. Përtej përmirësimit të infrastrukturës, ky investim shihet si një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e një prej pasurive më të çmuara natyrore të vendit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm turistik të fshatit Lin.

Gazetare: Kostanca Koçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme