Izraeli nis rrugën për hetimin e masakrës së 7 tetorit, Knesseti miraton ngritjen e Komisionit Shtetëror, Eisenkot: Do të zbulojmë të vërtetën

Botë | 15 minuta më parë

Seanca plenare e parlamentit izraelit (Knesset) ka miratuar në lexim paraprak propozimin për krijimin e një Komisioni Shtetëror Hetimor lidhur me masakrën e 7 tetorit 2023. Ky hap procedural shënon fillimin e shqyrtimit parlamentar për zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësive të sulmit.

Menjëherë pas votimit ka ardhur reagimi i udhëheqësit të partisë Yashar dhe ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Gadi Eisenkot. Përmes një postimi në platformën “X”, ai u shpreh se miratimi i këtij komisioni ishte i vonuar, duke theksuar se ky vendim duhej të ishte marrë “tre vjet më parë”, por shtoi se “më mirë vonë sesa kurrë”.

Eisenkot e cilësoi zbardhjen e plotë të ngjarjeve si një detyrim të drejtpërdrejtë ndaj të prekurve dhe sigurisë kombëtare.

“Për familjet e viktimave, për të mbijetuarit e robërisë dhe për ata që nuk u kthyen gjallë, për banorët e jugut dhe veriut, për ushtarët, për sigurinë e Izraelit dhe për të gjithë qytetarët izraelitë, ne do të zbulojmë të vërtetën dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar tragjedinë e radhës”, deklaroi ai.

Duke rikonfirmuar angazhimin e tij politik dhe institucional për këtë proces, ish-kreu i ushtrisë izraelite premtoi se do të mbahet përgjegjësi e plotë: “Mbi të gjitha, do të ngrihemi në lartësinë e detyrës. Premtoj.”

Sipas procedurës parlamentare të Knessetit, pas kalimit në lexim paraprak, projektligji për ngritjen e Komisionit Shtetëror Hetimor do t’i kalojë për shqyrtim dhe votim një komisioni parlamentar. Pas miratimit në këtë hallkë, nisma do të rikthehet sërish në seancën plenare të Knessetit për votimin në lexim të parë.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme