Skema e re e mësuesve në dispozicion, Ministria e Arsimit miraton udhëzimin për zëvendësimet në shkolla, kufiri deri në 82 mësues në shkallë vendi

Ministria e Arsimit ka nxjerrë Udhëzimin, i cili rregullon skemën dhe detyrat e mësuesve në dispozicion në institucionet publike të arsimit parauniversitar. Ky akt shfuqizon pilotimin e mëparshëm të vitit 2023 dhe vendos një kornizë të qartë për mbulimin e mungesave të mësuesve në shkolla.
Sipas udhëzimit të firmosur nga ministrja Mirela Kumbaro Furxhi, numri i përgjithshëm i mësuesve në dispozicion për të gjitha Zyrat Vendore e Arsimit Parauniversitar (ZVAP) “nuk mund të jetë më shumë se 82 (tetëdhjetë e dy) mësues”. Kjo shifër miratohet çdo vit nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP) bazuar në analizën e nevojave për zëvendësim, kohëzgjatjen e mungesave dhe shpërndarjen territoriale.
Emërimi dhe profili i mësuesve
Zëvendësimet përfshijnë rastet e mungesave të përkohshme për arsye shëndetësore të provuara me raporte mjekësore ose leje administrative. ZVAP-të emërojnë si mësues në dispozicion ata punonjës që në fillim të vitit shkollor mbeten pa ngarkesë mësimore, ndërsa për vendet e mbetura të paplotësuara procedurat ndiqen përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”.
Kontrata e punës është me afat të caktuar deri në përfundim të vitit shkollor. Për më tepër, udhëzimi përcakton se “ZVAP-ja, për çdo mësues në dispozicion, përcakton një institucion publik të arsimit parauniversitar që shërben si qendër pune, ku mësuesi paraqitet gjatë ditëve kur nuk është caktuar për zëvendësim”.
Angazhimi gjatë kohës pa zëvendësime
Kur nuk ka kërkesë emergjente për zëvendësim, kjo kohë konsiderohet plotësisht kohë pune dhe mësuesi qendron në gatishmëri, duke kryer detyra profesionale që lidhen me përditësimin e planeve mësimore, përgatitjen e materialeve didaktike, bashkëpunimin me ekipet lëndore dhe zhvillimin e brendshëm profesional. Udhëzimi thekson qartë se “mësuesi në dispozicion nuk ngarkohet me detyra administrative, teknike ose shërbimi që nuk lidhen me profilin e tij profesional dhe me procesin mësimor”.
Monitorimi dhe raportimi
Procesi i zëvendësimeve dhe prania e mësuesve do të monitorohet përmes regjistrave mujorë dhe formularëve standardë (Shtojcat 1, 2 dhe 3). Në përfundim të çdo viti shkollor, AKAP-i do të hartojë një raport kombëtar për funksionimin e skemës, të cilin do t’ia përcjellë Ministrisë së Arsimit brenda muajit korrik. Udhëzimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




