Liderët e BE-së diskutojnë buxhetin afatgjatë, Costa thirrje për marrëveshje që të miratohet deri në fund të vitit

Europë | 21 minuta më parë

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, deklaroi të enjten se synimi i tij në samitin dyditor të BE-së është të afrojë qëndrimet e vendeve anëtare drejt një marrëveshjeje për buxhetin afatgjatë të unionit. Megjithatë, disa liderë kanë rikonfirmuar kundërshtitë ndaj propozimeve të paraqitura prej tij. Costa  u bëri thirrje liderëve evropianë të arrijnë një marrëveshje brenda vitit.

“Tani është koha që të gjithë udhëheqësit të marrin pjesë në këtë debat me një qasje konstruktive dhe frymë për kompromis, sepse ne duhet ta miratojmë këtë buxhet në kohën e duhur, që do të thotë deri në fund të këtij viti”- deklaroi Costa.

Brukseli synon të përmbyllë një marrëveshje përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm në Francë, ku liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, kryeson në sondazhe. “Objektivi im është t’i afroj liderët drejt një marrëveshjeje. Na nevojitet një buxhet afatgjatë, që të sigurojë financimin e prioriteteve tona kryesore”- u shpreh presidenti i Këshillit Evropian.

Por kryeministri holandez, Rob Jetten, përsëriti kundërshtimet e vendeve që kontribuojnë më shumë financiarisht në buxhetin e BE-së, duke theksuar se Holanda nuk është ende gati të pranojë propozimet aktuale. “Buxheti duhet të modernizohet dhe të zvogëlohet, nëse duam të arrijmë një marrëveshje.

Tani i takon Costës të paraqesë një propozim më të mirë”, deklaroi Jetten. Propozimi i fundit përcakton buxhetin e BE-së për vitet 2028-2034 në rreth 1.6 trilion euro dhe nëse liderët e BE-së bien darkord, samiti për miratimin e planit financiar për 7 vitet e ardhshme mund të mbahet më 17-18 dhjetor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme