Begaj vizitë zyrtare në Strugë, fokusi te bashkëpunimi ndërkufitar, turizmi dhe ruajtja e identitetit kombëtar

Presidenti Begaj zhvillon vizitë zyrtare në Strugë, fokusi te bashkëpunimi ndërkufitar, turizmi dhe ruajtja e identitetit kombëtar
Presidenti Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Procesit të Brdo-Brijun-it që po mbahet në Ohër ka zhvilluar sot një vizitë në Strugë.
Kreu i Shtetit u prit nga kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, këshilltarët bashkiakë, përfaqësues të forcave politike vendase si dhe qytetarë të shumtë.
Gjatë takimeve me drejtuesit lokalë dhe komunitetin, në qendër të diskutimeve ishin zhvillimi i gjithanshëm i qytetit, ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe forcimi i rolit të shqiptarëve në rajon.

Presidenti Begaj u njoh nga afër me projektet zhvillimore të komunës dhe vlerësoi angazhimin e institucioneve vendore për promovimin e Strugës si një destinacion me vlera të spikatura historike, kulturore dhe turistike.
Duke vënë theksin te përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve dhe rritja ekonomike, kreu i shtetit shqiptar nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me bashkitë kufitare në Shqipëri.
Sipas tij, projektet e përbashkëta ndërkufitare janë kyçe për të nxitur turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të të gjithë zonës, ndërkohë që arsimi dhe trashëgimia mbeten pasuri jetike që duhen ruajtur dhe përcjellë te brezat e ardhshëm.

Agjenda e vizitës vijoi në disa prej pikave më simbolike të qytetit dhe rrethinave. Presidenti Begaj vizitoi Urën e Drurit “Naser Hani” mbi lumin Drini i Zi, e konsideruar si një simbol bashkimi për qytetin, si dhe fshatin Livadhi. Në Livadhi, kreu i shtetit u njoh me historinë e vendbanimit, nderoi kujtimin e betejës historike të Gjergj Kastriotit në këtë zonë dhe vizitoi muzeun lokal, i cili ruan dëshmi të pasura historike dhe etnografike.

Një ndalesë e veçantë e kësaj vizite ishte shkolla fillore komunale “Aki Dika”, e cila prej dekadash kontribuon në arsimimin e brezave në gjuhën shqipe.
Presidenti Begaj përgëzoi stafin mësimor dhe komunitetin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj këtij institucioni arsimor, duke e cilësuar këtë përkushtim si një model frymëzues për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




