Samiti/ Kos: Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave, përfiton 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes

Politikë | 9 minuta më parë

Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave të parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke përfituar 185.6 milionë euro në këstin e katërt të pagesave. Shifra u bë e ditur nga Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë fjalës hapëse në Samitin e Ballkanit Perëndimor.

Kos vlerësoi përparimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit në zbatimin e reformave, por theksoi se rezultatet mes vendeve janë të ndryshme dhe se jo të gjitha shtetet kanë shfrytëzuar plotësisht mundësitë e ofruara nga plani.

“Ky është një moment i rëndësishëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të gjithë së bashku, për pak do të hyjmë në vitin e fundit të periudhës katërvjeçare të zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky plan u përpilua për të mbështetur reforma të rëndësishme, nga të cilat përfitojnë qytetarët dhe ekonomitë tuaja”, deklaroi komisionerja.

Ajo vuri në dukje se deri më tani tre shtete kanë shënuar përparim të mirë në zbatimin e reformave, ndërsa tre të tjera nuk i kanë shfrytëzuar plotësisht mundësitë e ofruara. Sipas saj, këto rezultate të ndryshme janë pasqyruar edhe në vlerësimet e bëra nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Duke u ndalur te rezultatet konkrete, Kos bëri të ditur se Mali i Zi kryeson me 94% të reformave të zbatuara, çka do t’i mundësojë përfitimin e 81 milionë eurove në raundin e dytë të pagesave.

“Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe ju do të merrni 185.6 milionë euro në pagesën e katërt”, u shpreh Kos.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka zbatuar 54% të reformave dhe do të përfitojë 79 milionë euro.

Komisionerja theksoi se Plani i Rritjes është ndërtuar mbi parimin e rezultateve konkrete, ku përmbushja e reformave shoqërohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

“Ky Plan i Rritjes kishte për synim rezultatet dhe arritjet e tyre dhe, kur të arriheshin këto rezultate, të ofroheshin fonde të tjera”, theksoi Marta Kos.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme