Spanja drejt zgjedhjeve të parakohshme, Sanchez kërkon një mandat të ri mes rritjes së së djathtës

Botë | 30 minuta më parë

Spanja përgatitet të votojë të dielën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në një garë të tensionuar politike, ku kryeministri Pedro Sanchez synon të sigurojë një mandat të ri, pavarësisht sondazheve që favorizojnë opozitën konservatore dhe të djathtën ekstreme. Kriza e strehimit, emigracioni dhe e ardhmja e qeverisë janë ndër çështjet kryesore që kanë dominuar fushatën. (Foto: Anadolu)

Kryeministri socialist Pedro Sanchez shpalli zgjedhjet e parakohshme më 5 tetor, pasi qeveria e tij nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme parlamentare për dy projektligje mbretërore që lidhen me strehimin dhe lehtësimin e krizës së banesave në vend.

Vendimi për zgjedhje vjen pas protestave masive për rritjen e çmimeve të banesave dhe në një kohë kur emigracioni vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në politikën spanjolle.

Pavarësisht rezultateve negative në sondazhet publike, Sanchez u shpreh optimist për rezultatin e zgjedhjeve, duke pretenduar se socialistët mund të sigurojnë shumicën përmes bashkëpunimit me partitë e tjera të majta.

“Nuk mund ta imagjinoj që të humbasim”, deklaroi ai, duke shtuar se votuesit progresistë po mobilizohen gjithnjë e më shumë për të marrë pjesë në votime.

“Kur Spanja progresive fillon, është e pandalshme”, u shpreh kryeministri.

Megjithatë, sondazhet e publikuara para hyrjes në fuqi të ndalimit të publikimit të tyre kanë treguar një avantazh të konsiderueshëm për Partinë Popullore (PP) të drejtuar nga Alberto Nunez Feijoo dhe partinë e ekstremit të djathtë Vox.

Këto dy forca politike synojnë të bashkojnë votat për të larguar Sanchez nga pushteti, pas tetë vitesh qeverisje.

Vox, e cila vitet e fundit ka rritur ndjeshëm mbështetjen elektorale, parashikohet të marrë afro 20% të votave, duke forcuar pozitat e saj si një nga aktorët kryesorë të politikës spanjolle.

Një rezultat i tillë mund t’i hapë rrugën një koalicioni qeverisës mes konservatorëve dhe së djathtës ekstreme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme