Incident kibernetik në Britani, jashtë funksionit sistemet e pensioneve dhe përfitimeve sociale

Botë | 25 minuta më parë

Një incident kibernetik ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në sistemet e Departamentit për Punë dhe Pensione (DWP) në Mbretërinë e Bashkuar, duke lënë jashtë funksionit pothuajse të gjitha shërbimet online për pensionet dhe përfitimet sociale. Autoritetet sigurojnë se pagesat e rregullta do të vazhdojnë, ndërsa shkaku i incidentit është ende nën hetim. (Foto: Yui Mok/PA)

Problemi u konstatua të enjten, kur autoritetet zbuluan aktivitet të pazakontë në sistemet e departamentit dhe vendosën të çaktivizonin një sërë shërbimesh si masë paraprake sigurie.

Si pasojë, qytetarët nuk mundën të kontrollonin pensionin shtetëror, të aplikonin për përfitime për aftësinë e kufizuar apo të kryenin veprime përmes skemës së Kreditit Universal (Universal Credit).

Departamenti për Punë dhe Pensione bëri të ditur se pagesat e rregullta të pensioneve dhe përfitimeve sociale nuk janë prekur dhe do të kryhen normalisht. Megjithatë, disa qytetarë raportuan se pagesat që prisnin të merrnin të premten nuk ishin shfaqur ende në llogaritë e tyre bankare.

Deri më tani, autoritetet britanike nuk kanë konfirmuar nëse bëhet fjalë për një sulm të drejtpërdrejtë kibernetik apo për një tjetër lloj incidenti sigurie.

DWP po bashkëpunon me Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike (NCSC) dhe Qendrën Qeveritare të Koordinimit Kibernetik për të zbardhur ngjarjen dhe për të rikthyer shërbimet sa më shpejt të jetë e mundur.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme