Presidentja e Kosovës: Duam trajtim të barabartë në rrugën drejt integrimit evropian

Kosovë | 15 minuta më parë

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka kërkuar trajtim të barabartë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se ky proces nuk duhet të jetë selektiv.

Gjatë pjesëmarrjes në Iniciativën Brdo-Brijuni, që po zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ajo theksoi se bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe perspektiva evropiane janë vendimtare për stabilitetin e rajonit.

 “Një Ballkan Perëndimor më i integruar është një Evropë më e fortë. Integrimi evropian nuk mund të jetë selektiv. Të gjitha vendet duhet të përparojnë paralelisht drejt anëtarësimit, mbi bazën e meritave dhe kritereve, pa lënë askënd prapa”, tha ajo.

Shiroka Pula u ndal edhe te përjashtimi i Kosovës nga Forumi i Zgjerimit të BE-së, i mbajtur më 16 nëntor në Bruksel. Ajo kritikoi gjithashtu lejimin e interpretimit të një kënge nacionaliste që, sipas saj, vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Presidentja e cilësoi paradoksale mospërfshirjen institucionale të Kosovës në një aktivitet që promovon zgjerimin dhe vlerat evropiane, duke theksuar se veprime të tilla nuk ndihmojnë pajtimin dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit.

“Është paradoksale që, në një aktivitet kushtuar zgjerimit dhe vlerave evropiane, Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional dhe të lejohen mesazhe që cenojnë realitetin e saj shtetëror. Kosova nuk kërkon privilegj, por barazi, respekt dhe trajtim të drejtë. Për të, integrimi evropian është zgjedhje strategjike dhe orientim i qartë shtetëror”, tha ajo.

Ajo nënvizoi se Kosova nuk kërkon privilegje, por respekt dhe barazi në procesin e integrimit, ndërsa bëri thirrje për përparim në bazë të meritave dhe kritereve të njëjta për të gjitha shtetet.

Presidentja theksoi rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar nga Bashkimi Evropian që parimet e tij të zbatohen njësoj për të gjitha vendet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme