Marco Rubio mesazh urimi për 114-vjetorin e Pavarësisë: Vlerësojmë partneritetin dhe bashkëpunimin me Shqipërinë

Aktualitet | 25 minuta më parë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë një mesazh urimi për popullin shqiptar me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në një deklaratë zyrtare, Rubio ka uruar shqiptarët në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vënë në dukje partneritetin e fortë mes dy vendeve dhe bashkëpunimin në fusha me rëndësi të përbashkët.

Kreu i diplomacisë amerikane ka vënë theksin veçanërisht te bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA-së për përballimin e kërcënimeve kibernetike, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit për adresimin e sfidave të sigurisë në hapësirën digjitale.

Deklarata e plotë:

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u përcjell urimet e mia më të përzemërta popullit shqiptar me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të fortë, të ndërtuar mbi sigurinë e përbashkët, begatinë ekonomike dhe lidhjet mes popujve tanë. Ne mirëpresim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të mbrojtjes dhe politikës së jashtme.

Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, përfshirë përmes përpjekjeve të përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet që paraqesin grupet kriminale ndërkombëtare, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to. Ne vlerësojmë gjithashtu përpjekjet tona të përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet në hapësirën kibernetike, ndërsa Shqipëria rrit aftësitë e saj për mbrojtjen kibernetike.

Në këtë ditë të veçantë, presim me kënaqësi të thellojmë më tej të gjitha fushat e marrëdhënieve tona, në dobi të të dy vendeve.” – Sekretari i Shtetit Marco Rubio.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme