Berisha: Protesta e 28 Nëntorit ishte një qëndresë historike, Rama do të mbajë përgjegjësi për dhunën ndaj protestuesve

Politikë | 30 minuta më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi protestën e 28 Nëntorit në Tiranë si një “qëndresë historike” kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ndërsa akuzoi ekzekutivin dhe Policinë e Shtetit për ushtrim dhune ndaj protestuesve gjatë përplasjes disaorëshe në kryeqytet.

Në një konferencë për mediat, Berisha falënderoi mijëra qytetarët që morën pjesë në protestë, duke përfshirë sipas tij edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, dhe deklaroi se manifestimi i opozitës i dha jehonë ndërkombëtare Ditës së Pavarësisë.

“Dhjetëra mijëra qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora nderuan flamurin dhe Ditën e Pavarësisë me një protestë madhështore kundër regjimit të Edi Ramës. Qëndresa dhe guximi i tyre u bënë lajm në mediat më të mëdha europiane dhe botërore”, u shpreh Berisha.

Kreu i demokratëve pretendoi se protestuesit u përballën me masa të forta policore, duke akuzuar autoritetet për përdorimin e gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave të gomës.

Sipas tij, dhjetëra persona mbetën të lënduar gjatë përplasjes me forcat e rendit, ndërsa ai paralajmëroi se përgjegjësit e dhunës do të mbajnë përgjegjësi.

“Garantoj Edi Ramën se do të mbahet drejtpërdrejt përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve. Përgjegjësi do të ketë për çdo plagosje dhe çdo akt dhune të ushtruar ndaj qytetarëve”, deklaroi Berisha.

Ai pretendoi gjithashtu se gjatë protestës janë goditur gazetarë, operatorë mediash dhe qytetarë që, sipas tij, nuk kanë qenë të përfshirë në akte dhune.

Një pjesë e deklaratës së kreut të PD iu kushtua edhe incidentit pranë selisë së Partisë Demokratike. Berisha dënoi atë që e quajti “sulm” ndaj selisë së opozitës dhe akuzoi qeverinë për cenim të pluralizmit politik.

“Në emër të Partisë Demokratike dënoj me forcën më të madhe sulmin ndaj selisë së PD-së. Selia jonë ka qenë, është dhe do të mbetet strehë për çdo protestues dhe qytetar që përballet me dhunën dhe presionin e regjimit”, tha ai.

Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të vijojë mbështetjen për protestat kundër qeverisë, duke i konsideruar ato si mjetin kryesor për ndryshim politik.

“Protesta dhe vetëm protesta është rruga për largimin e Edi Ramës nga pushteti. Ftoj demokratët dhe të gjithë qytetarët të marrin pjesë në çdo protestë kundër kësaj qeverie”, u shpreh kryedemokrati.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme