Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë drejt restaurimit të plotë dhe rikonceptimit digjital

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë do t’i nënshtrohet një projekti të plotë restaurimi dhe rikonceptimi, me synimin për të modernizuar përvojën e vizitorëve duke ruajtur vlerat historike të godinës. Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama përmes një njoftimi në rrjetet sociale, në kuadër të festimeve të 28–29 Nëntorit.
Sipas kreut të qeverisë, ndërhyrja parashikon një qasje të dyfishtë: mbrojtjen e trashëgimisë arkitekturore dhe përshtatjen me kërkesat bashkëkohore të muzeologjisë.
“Në këtë 28-29 Nëntor, ndajmë me ju projektin për restaurimin e plotë të godinës historike dhe rikonceptimin e linjës muzeore. Do të ruajmë tiparet origjinale të godinës, duke zgjeruar hapësirat e ekspozimit dhe duke krijuar ambiente të reja për aktivitete kulturore e edukative”, shkruan Rama.
Fokus te teknologjia dhe interaktiviteti
Një nga shtyllat kryesore të këtij rikonceptimi është integrimi i elementeve moderne për ta bërë historinë më të qasshme për brezat e rinj dhe vizitorët e huaj. Sipas tij, “ekspozitat interaktive dhe teknologjitë digjitale do t’i ndihmojnë vizitorët, turistët, veçanërisht të rinjtë, të zbulojnë si u hodhën themelet e shtetit shqiptar”.
Përtej ndërhyrjeve të brendshme, projekti synon transformimin e plotë të imazhit dhe funksionalitetit të institucionit, duke përfshirë hapësirat e jashtme, sistemimi dhe përmirësimi i mjediseve rrethuese të muzeut; identiteti vizual, krijimi i një identiteti të ri vizual të dedikuar për këtë institucion historik; ambiente funksionale, shtimi i hapësirave të posaçme për organizimin e aktiviteteve kulturore dhe edukative.
Ky investim vjen në një moment kur interesi për këtë qendër historike vijon të jetë i lartë, pasi sipas të dhënave të publikuara nga Kryeministri, muzeu “vetëm gjatë periudhës janar–tetor 2026 mirëpriti mbi 16.000 vizitorë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




