Pakistani konfirmon dislokimin e trupave në Arabinë Saudite në kuadër të “Aleancës së Mbrojtjes së Mekës”

Botë | 1 minutë më parë

Pakistani konfirmoi zyrtarisht të dielën vendosjen e trupave të tij ushtarake në Arabinë Saudite, me qëllim forcimin e mbrojtjes së Mbretërisë përballë sulmeve të vazhdueshme të rebelëve Huthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani. Ky operacion shënon dislokimin e parë të njohur të forcave pakistaneze në zbatim të marrëveshjes trepalëshe të mbrojtjes me Arabinë Saudite dhe Turqinë.

Në një deklaratë zyrtare, ushtria pakistaneze bëri të ditur se kontingjentet e saj do të “kryenin përgjegjësitë e tyre të caktuara brenda territorit saudit sipas angazhimeve të rëna dakord dhe kuadrit të vendosur të bashkëpunimit mbrojtës”.

Ndonëse autoritetet në Islamabad nuk zbuluan numrin e saktë të efektivëve, detyrat specifike apo afatin kohor të misionit, ato theksuan se “ky vendosje do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të aftësive mbrojtëse të Mbretërisë mes shqetësimeve të reja të sigurisë”.

Funksionimi i “Aleancës së Mbrojtjes së Mekës”

Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pas takimit të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të Pakistanit, Arabisë Saudite dhe Turqisë në Islamabad, ku u dënuan sulmet e përsëritura ndaj territorit saudit. Të tre vendet nënshkruan në muajin gusht “Aleancën e Mbrojtjes së Mekës”, një pakt i ndërsjellë në stilin e NATO-s që parashikon ndihmë ushtarake në rast sulmi ndaj njërës prej palëve.

Edhe pse muajin e kaluar Ministria e Jashtme e Pakistanit kishte pranuar praninë e një numri “të konsiderueshëm” forcash me kapacitet mbrojtës në Arabinë Saudite, operacioni i konfirmuar këtë të diel konsiderohet aktivizimi i parë zyrtar i klauzolave të paktit të ri të sigurisë.

Konteksti i përplasjeve dhe reagimet

Riadi është i përfshirë prej më shumë se një dekade në konfliktin e Jemenit, duke mbështetur qeverinë e njohur ndërkombëtarisht kundër rebelëve Huthi. Këta të fundit kontrollojnë zonat më të populluara të vendit dhe së fundmi kanë ndërmarrë ofensivën e tyre më të madhe tokësore në vite, duke pushtuar bregdetin e Detit të Kuq, duke bllokuar lundrimin e anijeve dhe duke nisur sulme të drejtpërdrejta ndaj territorit saudit.

Autoritetet saudite i kanë akuzuar rebelët Huthi për lëshimin e raketave dhe dronëve në drejtim të Mekës dhe Medinës që prej përshkallëzimit të luftimeve gjatë verës — një akuzë që lëvizja Huthi e mohon kategorikisht. Megjithatë, Islamabadi konfirmoi se mbrojtja e xhamive dhe vendeve të shenjta në të dy qytetet është një prej objektivave kryesore të misionit. Më herët, Ministri pakistanez i Mbrojtjes, Khawaja Muhammad Asif, kishte paralajmëruar se vendi i tij do të përdorë “çdo mjet në dispozicion” për të garantuar sigurinë e Arabisë Saudite.

Nga ana tjetër, zyrtari i lartë i rebelëve Huthi, Mohamed Ali al-Houthi, kritikoi ashpër të shtunën vonë Pakistanin dhe Turqinë për aleancën ushtarake me Riadin, duke i akuzuar se po injorojnë atë që ai e cilësoi si “agresion [saudit], bllokadë, vrasje dhe krime të vazhdueshme” në Jemen.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme