Papa Leo u bën thirrje të rinjve të kërkojnë miq të vërtetë, jo “chatbot”

Me rastin e së dielës së parë të Adventit, Papa Leo kryesoi predikimin e Meshës në famullinë e San Carlo da Sezze në Acilia, duke përcjellë mesazhe të forta mbi solidaritetin shoqëror, rolin e të rinjve dhe rëndësinë e marrëdhënieve të vërteta njerëzore në epokën digjitale.
Në fjalën e tij hyrëse, Ati i Shenjtë shprehu mirënjohjen për angazhimin e heshtur të besimtarëve dhe vullnetarëve në shërbim të komunitetit.
“Sot jam këtu për t’i thënë ‘faleminderit’ Zotit dhe të gjithëve ju: atyre që shpallin Fjalën, atyre që shoqërojnë të rinjtë, atyre që u shërbejnë të varfërve, atyre që kujdesen për mjedisin, atyre që mbështesin komunitetin me lutje të fshehtë. Zoti i di të gjitha të mirat, madje edhe ato që askush nuk i sheh”, theksoi ai.
Solidariteti me familjet në vështirësi dhe të pastrehët
Duke u ndalur te plagët e shoqërisë bashkëkohore, Papa Leo ftoi besimtarët që në këtë periudhë përgatitjeje shpirtërore të mos mbyllen në vetvete, por të mbajnë pranë ata që vuajnë. Ai bëri thirrje që të sillen në lutje “popujt e plagosur nga lufta, familjet e sprovuara nga pasiguria, ata që nuk mund të gjejnë punë, ata që janë të pastrehë, ata që ndiejnë se askush nuk i do”.
Duke shpjeguar kuptimin e lutjes përballë dhimbjes njerëzore, Papa shtoi se “lutja nuk e zhduk vuajtjen. Megjithatë, ajo na pengon të mësohemi me të, na ndihmon të shpresojmë dhe na afron me ata që kanë nevojë”.
Paralajmërimi për të rinjtë: “Një mik i vërtetë nuk është një chatbot”
Një pjesë e veçantë e predikimit iu kushtua të rinjve dhe sfidave të vetmisë moderne. Duke iu referuar një sondazhi që tregonte se shumë të rinj e konsiderojnë inteligjencën artificiale si shoqëruesin e tyre më të ngushtë, Papa Leo e cilësoi këtë prirje si një iluzion të rrezikshëm.
“Për shumë të rinj, shoku më i mirë është një chatbot. Le të mos e gënjejmë veten: miqtë e vërtetë janë këtu! Një mik i vërtetë nuk të gënjen, nuk shpik gjëra. Ai të pranon ashtu siç je, por gjithashtu të fton të rritesh.”
Ai i nxiti të rinjtë ta shohin miqësinë e vërtetë si një “përgjigje ndaj dhunës” dhe tundimeve të shoqërisë, duke u bërë të pranishëm për ata që ndihen të izoluar. Njëkohësisht, u kërkoi atyre të ndihmojnë Kishën “të kuptojë vetmitë e reja që ndoshta e ka të vështirë t’i shohë dhe të gjejë gjuhë të përshtatshme për të komunikuar fenë”.
Në përmbyllje, Papa Leo i drejtoi një apel të gjithë komunitetit që të investojë te brezi i ri me durim dhe hapje, duke u ofruar “marrëdhënie arsimore të përgjegjshme, mjedise të sigurta dhe një afërsi që respekton lirinë dhe kohën e secilit person”, sepse, siç u shpreh ai, “një shtëpi është e hapur kur ata që mbërrijnë gjejnë jo vetëm një derë, por edhe dikë që është i gatshëm t’i mirëpresë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




