Senati i Meksikës miraton reformën në gjyqësor, Gjykatësit dhe anëtarët e Gjykatës Supreme do të zgjidhen me votë popullore

Me 86 vota pro dhe 41 kundër, senati i Meksikës miratoi në parim reformimin e sistemit gjyqësor të vendit, pjesë e një paketë ndryshimesh kushtetuese, që parashikon që gjyqtarët të zgjidhen me votë popullore. Që të miratohej, reforma duhej të votohej nga dy të tretat e ligjvënësve, dhe ishte një senator i opozitës ai që devijoi nga linja e partisë së tij dhe votoi pro reformën.
Ndërsa mbështetësit e legjislacionit thonë se ndryshimet ligjore do t’i bëjnë gjyqtarët më të përgjegjshëm ndaj popullit, kritikët e tij këmbëngulin se ai kërcënon shtetin e së drejtës, do të dëmtojë ekonominë, do të minojë ekuilibrat dhe fuqizojë pushtetin e partisë Morena që është në pushtet.
Votimi në senat ishte edhe pengesa e fundit ligjore ndaj draftit, i cili ka edhe mbështetjen edhe të presidentit Andres Manuel Lopez Obrador, mandat i të cilit përfundon në datën 30 shtator. Gjatë gjashtë viteve në detyrë, Lopez Obrador është përplasur shpesh me gjykatën supreme të vendit, e cila ka bllokuar disa nisma të tij në sektorin e energjisë dhe sigurisë.
Nën sistemin e rij, edhe anëtarët e gjykatës supreme do të zgjidhen me votë popullore, numri i tyre reduktohet nga 11 në 9, si dhe reduktohen edhe kërkesa që tjera që një jurist duhet të plotësojë për të kandiduar për gjyqtar i supremes.
Tashmë pritet që senati ta miratojë reformën përfundimisht, pasi në dhomën e lartë të parlamentit të mbahen debate për çështje të ngritura nga ligjvënësit në lidhje me të. Javën e shkuar atij iu dha drita jeshile në dhomën e ulët të organit ligjvënës të vendit. Reforma në gjyqësor iu dha shtysë demonstratave dhe grevave ku protestuesit mësynë në godinën e parlamentit ndërsa senatorët po e votonin, çka çoi në ndërprerjen e përkohshme të seancës.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




