SHBA mund të heq kufizimet ndaj Ukrainës dhe të lejojë përdorimin e armëve të saj brenda Rusisë

Botë | 2 vite më parë

SHBA mund të heq kufizimet ndaj Ukrainës dhe të lejojë përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë. Presidenti Joe Biden ka lënë të kuptohet se Uashingtoni do të heqë kufizimet dhe nëse kjo ndodh, do të përmbushte kërkesat e përsëritura të Ukrainës për të liruar kufijtë e armëve të furnizuara nga SHBA.

Rusia ende nuk ka komentuar, por presidenti Vladimir Putin ka thënë më parë se një veprim i tillë mund të çojë në “probleme shumë serioze” .

I pyetur nëse SHBA do të heqë kufizimet në përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina, Presidenti Biden tha se administrata e tij “po punonte për këtë”.

Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, SHBA-ja ka hezituar të furnizojë ose të sanksionojë përdorimin e armëve që mund të godasin objektiva thellë brenda Rusisë, nga frika se do të përshkallëzonte konfliktin.

Megjithatë, ajo ka liruar disa nga kufizimet për përdorimin e tillë të raketave, duke i lejuar Ukrainës të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi për të goditur zonat përgjatë kufirit të Rusisë nga ku po qëllojnë trupat.

Aleatët e tjerë të Kievit kanë furnizuar gjithashtu disa armë me rreze të gjatë – me kufizime se si dhe kur mund të përdoren brenda Rusisë, nga shqetësimi se sulme të tilla mund të nxisin hakmarrje që tërheq vendet e NATO-s në luftë ose provokojnë një konflikt bërthamor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme