OKB: Vijon fushata e vaksinimit ndaj poliomielitit në Gazë, pikë kthese që nga fillimi i luftës

Agjencia e OKB-së për fëmijë ka bërë të ditur se fushata e vaksinimit ndaj poliomielitit në Gazë arriti në 189 mijë fëmijë, duke tejkaluar objektivin e saj dhe duke shënuar një pikë kthese në gati 11 muaj luftë.
UNICEF tha të mërkurën se më shumë se 500 ekipe u vendosën në të gjithë Gazën qendrore këtë javë, duke administruar vaksinën te fëmijët nën 10 vjeç.
Sipas UNICEF-it, Izraeli dhe Hamasi vendosën pauza të kufizuara në luftime për të lehtësuar fushatën e vaksinimit.
Agjencitë e OKB-së tani shpresojnë të zgjerojnë fushatën në veri dhe në jug të territorit të goditur më rëndë, ndërsa shpresojnë të vaksinojnë gjithsej 640 mijë fëmijë.
Fushata filloi pasi Gaza pati rastin e parë të raportuar të poliomielitit në 25 vjet – një djalë 10 muajsh, tani i paralizuar në këmbë.
Ekspertët e shëndetësisë kanë paralajmëruar për shpërthime sëmundjesh në territor, ku shumica dërrmuese e njerëzve janë zhvendosur, shpesh herë të shumta, dhe ku uria është e përhapur.
Qindra mijëra njerëz janë të grumbulluar në kampe të mjera tendash me pak ose aspak shërbime publike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



