Ministrat e jashtëm në BE, Kuleba thirrje: Na lejoni të përdorim armët perëndimore kundër Rusisë

Ukraina ka intensifikuar thirrjet për t’u lejuar që të përdorë armët perëndimore kundër shënjestrave ushtuake në territorin rus.
Para nisjes së takimit të ministrave të jashtëm të BE-së që po mbahet në Bruksel, kryediplomati ukrainas Dmitro Kuleba tha se siguria afatgjatë për Evropën niste me vendime të guximshme afatshkurtra për Ukrainën. Ukraina do që të lejohet të përdorë armët perëndimore për të goditur shënjestra të ligjshme ushtarake në thellësi të Rusisë, siç janë aerodromet që përdoren për nisjen e avionëve bombardues.
“Nëse furnizohemi me sasinë e mjaftueshme të raketave, nëse lejohemi të godasim do të mund të reduktojmë ndjeshëm aftësinë e Rusisë për të shkaktuar dëme në infrastrukturën tonë dhe do të përmirësojmë situatën e forcave tona në terren”, u shpreh Kuleba, deklarata e të cilit u mbështet nga shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, që takimin e Kulebas me 27 ministrat e jashtëm evropian e cilësoi si moment të rëndësishëm ku të gjithë do të kuptonin se përse duhet të hiqeshin kufizimet për përdorimin e armëve perëndimore për goditjen e shënjestrave në territorin rus.
“Kufizimet duhet të hiqen në mënyrë që ukrainasit të shënjestrojnë vendet nga të cilët Rusia po i bombardon. Në të kundërt, armatimet e tjera të forcave të Kievit do të jenë të padobishme”, theksoi Borrell, sipas të cilit që nga fillimi i luftës në shkurt të 2022-it, Rusia kishte lëshuar drejt Ukrainës më shumë se 14 mijë dronë, rreth 10 mijë raketa dhe shumë bomba.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



