SHBA ofron 500 milionë dollarë financime për Filipinet mes tensioneve në Detin e Kinës Jugore

Botë | 2 vite më parë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan të martën një financim ushtarak prej 500 milionë dollarësh shtesë për Filipinet, për të mbështetur përpjekjet për të rritur mbrojtjen e vendit mes tensioneve në rritje në Detin e diskutueshëm të Kinës Jugore.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin njoftuan fondet shtesë pas takimit me homologët e tyre filipinas, i mbajtur për herë të parë në Manila.

Dy zyrtarët amerikanë i bënë gjithashtu një telefonatë mirësjelljeje presidentit Ferdinand Marcos Jr, më herët gjatë ditës.

“Do të ofrojmë 500 milionë dollarë shtesë, si pjesë e financimin tonë ushtarak në Filipine për të rritur bashkëpunimin e sigurisë me aleatin tonë më të vjetër të traktatit në këtë rajon”, tha Blinken në një konferencë për shtyp.

“Kjo ndihmë është projektuar për të mbështetur modernizimin e forcave filipinase, rojes bregdetare, ndërsa ato fokusohen në mbrojtjen e jashtme”, shtoi ai.

Austin vuri në dukje se “ky nivel financimi është i paprecedentë”.

“Ky është një mesazh i qartë mbështetjeje për Filipinet nga administrata Biden-Harris, Kongresi amerikan dhe populli amerikan”, tha Austin.

Blinken tha se të dy vendet dhe vendet e tjera në rajon ndajnë shqetësimin për “veprimet përshkallëzuese të Kinës në Detin e Kinës Jugore, Detin e Kinës Lindore dhe gjetkë”.

Kina ka bllokuar në mënyrë agresive misionet e rifurnizimit të Filipineve në bregun, i cili shtrihet 195 kilometra në perëndim të provincës Filipine të Palawan, dhe është brenda zonës ekskluzive ekonomike të Filipineve. 

/ rtsh.al /

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme