“Marrëveshja për lirimin e pengjeve është afër”, Netanjahu më 25 korrik takon presidentin Biden në Uashington

Botë | 2 vite më parë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u tha familjeve të pengjeve të mbajtura në Gaza se një marrëveshje që do të siguronte lirimin e tyre mund të jetë afër, ndërsa luftime të reja kanë përfshirë enklavën e shkatërruar palestineze. “Kushtet për një marrëveshje janë të përshtatshme. Kjo është një shenjë e mirë”, tha Netanjahu nga Uashingtoni “Fatkeqësisht, nuk do të ndodhë menjëherë, do të ketë faza, megjithatë, unë besoj se ne mund ta çojmë përpara atë marrëveshje” shtoi Netanyahu.

Përpjekjet për të arritur një armëpushim në luftën midis Izraelit dhe Hamasit, të bërë të njohura edhe nga presidenti amerikan në maj dhe të ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari, janë intensifikuar gjatë muajve të fundit.

Netanyahu pritet të takohet me presidentin Joe Biden më 25 korrik, një ditë pasi të mbajë fjalimin para Kongresit amerikan. Data e takimit në Shtëpinë e Bardhë ishte e pavendosur, pasi Biden u infektua me koronavirus dhe ishte në izolim në shtëpinë e tij në Dellauer.

Dy liderët pritet të diskutojnë për pengjet, por edhe operacionin izraelit në Gaza. Ndërkohë Forcat izraelite vazhduan sulmet në jug të Gazës, në Han Junis, pasi urdhëruan civilët të evakuoheshin. ushtria tha se dhjetëra militantë ishin vrarë, ndërsa depot e armëve dhe tunelet e përdorur nga militantët ishin shkatërruar.

Ndërkohë mjekët palestinezë thanë se viktima të reja janë regjistruar nga sulmet ajrore izraelite, duke e çuar në mbi 39 mijë numrin e viktimave nga 7 tetori 2023.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme